Ministria e Infrastrukturës (MI) njofton se situata e reshjeve të dendura të borës ka sjellë probleme në gjithë Kosovën, e kjo me theks të veçantë po haset në vendet malore.
“Një rast specifik është Brezovica, për shkak të makinave që janë parkuar në mënyrë të parregullt, kompania e mirëmbajtjes nuk ka arritur me kohë të bëjë pastrimin e rrugës dhe si rrjedhojë e kësaj janë bllokuar nxënës të cilët kanë qenë në pikën turistike të Brezovicës”, ka thënë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
“Me këtë rast dëshiroj t’i siguroj të gjithë familjarët e nxënësve që jam në kontakt personalisht me të gjithë faktorët për të bërë të mundur që të lëvizin autobusët dhe automjetet e tjera në drejtimet e tyre pa pengesa e pa u rrezikuar jeta e askujt”.
Lekaj iu bën thirrje të gjithëve që të jenë bashkëpunues e ndihmues në këtë rast dhe të tjera si kjo. “Siguria në rrugë është detyrim i të gjithëve”, ka theksuar ministri.