Ministria pret që Projektligji për FSK-në të procedohet javën e ardhshme në qeveri

Prishtinë | 05 Maj 2018 | 14:30 | Nga

Ishte thënë se gjatë javës që lamë pas Projektligji për FSK-në të procedohet në Qeverinë e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kjo pasi Ministria e FSK-së është ende në pritje të përgjigjeve nga Ministria e Financave dhe ajo e Integrimeve Evropiane.

Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e FSK-së, Ibrahim Shala ka thënë se kjo ministri po pret pëlqimin në lidhje me koston buxhetore dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së.

“MFSK  në përputhje me Strategjinë Legjislative  të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Planit Veprues të MFSK-së, me kohë i ka bërë kërkesat tek Ministria e Financave për Deklaratë Financiare të  kostos buxhetore  si dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane, që draft ligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Tutje ai është shprehur optimist se Projektligji për FSK-në do të procedohet gjatë javës së ardhshme në qeveri.

“Sipas premtimeve që kemi, draftligjet e kompletuara presim që gjatë javës së ardhshme të dërgohen në qeveri”, tha Ibrahim Shala.

Gjatë javës Ministria e Financave ishte shprehur se draftligji për FSK-në është në shqyrtim, kurse Ministria e Integrimeve kishte bërë të ditur se tashmë kanë dhënë qëndrimin e saj për këtë temë më 30 prill.

Formimi i Ushtrisë ka qenë një nga temat më të përfolura në vend tash e disa vite.

Transformimi i FSK-së me ndryshime kushtetuese po duket i pamundur, pasi Lista Serbe është shprehur kategorikisht kundër.

Formimin e Ushtrisë vetëm me ndryshime kushtetuese e ka kërkuar edhe KFOR-i dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme