Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në aktivitetin “Java globale endërmarrësisë-Gratë në ndërmarrësi”, të organizuar nga SHERA në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo ( ICK), Forumin Ekonomik të Gruas dhe institutit RIINVEST.
Me këtë rast, ministrja Bajrami u shpreh se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria po punojnë në mënyrë të vazhdueshme që të mbështesin fuqizimin e grave në ndërmarrësi, që ambienti i të bërit biznes për gratë ndërmarrëse në Kosovë të jetë sa më i favorshëm, sepse gratë ndërmarrëse konsiderohen si partnere shumë të rëndësishme në zhvillimin e sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Bajrami gjithashtu theksoi se “Forumi Ekonomik i Gruas” është bërë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), që është i përbërë nga dhjetë organizata që angazhohen në fuqizimin e pjesëmarrjes dhe kontributit të gruas në ekonomi. Kjo do të ofrojë një mundësi shumë të mirë që të thellohet partneriteti i institucioneve qeveritare me gratë ndërmarrëse në Kosovë.
Ajo shtoi se presim nga gratë ndërmarrëse të vijnë me agjendë nacionale për përmirësimin e pozitës së gruas në të bërit biznes, në mënyrë që të përkrahen sa më shumë në mënyrë institucionale.
Më tutje, ministrja Bajrami njoftoi të pranishmit për projektet dhe aktivitetet me të cilat përkrahen gratë në ndërmarrësi siç janë: organizimi i panairit “Gratë në Biznes”, programe të ndryshme të Këshillimeve dhe Trajnimeve”, projekti “Internship Biznesi“ etj. Në fund, ajo i ftoi gratë ndërmarrëse të jenë sa më aktive në çdo instancë, në mënyrë që të fuqizohet sa më shumë roli i gruas në biznes.