Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Mes tjerash ata kanë biseduar edhe rreth përgatitjeve që po bëhen rreth organizimit të Forumit për Investime dhe Tregti në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar që do të mbahet në fillim të nëntorit të këtij viti në Londër.
Palët u pajtuan që të përgatiten sa më mirë në mënyrë që ky forum të përcillet me rezultate konkrete në drejtim të forcimit të partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
“Temë e takimit ishte intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në një njoftim të MTI-së.
“Ministrja Bajrami e njoftoi ambasadorin me sfidat si dhe me zhvillimet pozitive të cilat janë shënuar nga Qeveria e Kosovës në drejtim të përmirësimit të mjedisit afarist në vend si dhe me planet në të cilat po punohet në drejtim të rritjes së performancës ekonomike”.
Nga ana tjetër, ambasadori O’Connell thuhet se shprehu mbështetjen e qeverisë britanike për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai tha se qeveria e vendit të tij do të vazhdojë të jetë e angazhuar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës si dhe në inkurajimin e bizneseve nga Britania që të investojnë në vendin tonë.