Ministrja Dijana Zhiviq s’raporton për grantet, thotë se do të kryejë punën me nderë dhe transparencë

Prishtinë | 14 Mar 2019 | 13:47 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndonëse ish ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, pas shumë ftesave nga deputetët, nuk është paraqitur për të raportuar në komisionin që e mbikëqyrë këtë ministri, atë e bëri e sapo emëruara, ministrja e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, raporton Ekonomia Online.

Por ministrja Zhiviq në komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, nuk raportoi lidhur me grantet e kësaj ministrie.

Ajo tha se nuk mund të jap përgjigje për pyetjet e deputetëve, pasi sipas saj, ka dy javë prej që është emëruar ministre dhe nuk mund të raportoj për çështjet që kanë ndodhur në periudhën kur dikush tjetër ka qenë në krye të ministrisë.

“Unë nuk mund të i jap përgjigje pyetjeve tuaja sepse nuk kam qenë ministre në atë kohë, do të i merrni gjitha përgjigjet nga stafi im, në këtë periudhë unë do shqyrtoj gjitha mundësitë dhe ne po punojmë për zhvillimin rural edhe me profesionit të fushave po punojmë të finalizojmë këtë projekt dhe besojmë se ky program do të përditësohet. Kanë qenë disa vonesa por ligjet do plotësohen shumë shpejtë, ligji për ushqimin, zhvillimin rural etj”, tha Zhiviq.

Zhiviq tha se punën e saj do ta kryej me nder dhe do të jetë transparentë për çdo gjë.

“Unë do punoj me nder dhe ministria që unë drejtoj do të punoj në mënyrë transparente dhe ndërgjegjshëm dhe do kemi suksese në ketë ministri”, shtoi Zhiviq.

Zhiviq duke parë tensionin e anëtarëve të komisionit për mos mundësinë e qëndrimit, tha se kur të vij herën tjetër për raportim do të ketë përgjigje për secilën pyetje qe kanë deputetët.

“Keni të drejtë që jeni nervozuar por kemi takime të vazhdueshme dhe në takimin e radhës unë do të kem përgjigje për secilën pyetje tuaja dhe tani pasi që është sekretari ynë këtu besoj se mund të përgjigjet”, tha Zhiviq.

Ndër të tjera, ajo tha se nuk merr përgjegjësi për raportin e dërguar nga sekreti i Ministrisë, Kapllan Halimi, për shkak se raporti është dorëzuar para se të merrte detyrën e saj si ministre, ndërsa ajo tha se detyrën e saj e ka pranuar nga kryeministri i vendit.

“Raporti është dërguar para se unë të emërohem si ministresh, detyrën e kam marr nga kryeministri”, tha ajo.

Përgjegjësinë për të raportuar në lidhje me grantet e ministrisë së Bujqësisë, e mori sekretari i kësaj ministrie, Kapllan Halimi.

Ai tha se programi për grantet është i suksesshëm dhe janë bërë analiza profesionale. Sipas Halimit, janë mbi 70 për qind të fermerëve të regjistruar, të cilët nuk marrin ndihmë shtetërore.

“Programi është i suksesshëm kemi bërë analiza profesionale me disa universitete dhe organizata botërore dhe kemi qartësuar tezat tonë mbi këtë program që ishte hartuar në 2014 ka të bëj me një program shumë dimensional. Sa i përket zonave më pak të zhvilluara këtë vit e kemi menduar me qenë në gjithë territorin e Kosovës, janë mbi 70% të fermerëve te regjistruar që nuk marrin ndihmë shtetërore dhe ne duhet të i ndihmojmë me i ngrit një shkallë më lartë”, tha Halimi.

Sipas Halimit, 8 milionë euro është investimi, i ndarë 50 me 50 ndërmjet ministrisë dhe kompanive aplikuese.

“8 milion euro është investimi, bashkëfinancimi është 50% nga kompanitë aplikuese dhe 50% nga ministria e bujqësisë, 4 milionë janë para të kompanive dhe 4 milionë tjera nga Ministria e Bujqësisë”, tha Kapllani.

Sipas tij, rasti për akuzat për sulm ndaj zyrtarëve policorë, tha se do të sqarohen çdo gjë në gjykatë.

“Në gjykatë jam vetëm për shpifje ai që ka shkruar ashtu e kam deklaruar, ne kemi bërë ankesë në Këshillin e Medieve të Shkruara dhe është hap procedural dhe pas kësaj kjo kalon në gjykatë për shpifje”, tha ai.

Kapllani refuzoi t’i përgjigjet pyetjes së deputetit Salih Zyba, për numrin e zëvendësministrave të kësaj ministrie.

“Nuk mund të përgjigjem se sa zëvendës ministra kemi sepse është çështje politike dhe për jetë është dashur të pyetet ministrja”, tha Halimi.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, tha se kjo ministri ka degraduar e sidomos në kohën kur në krye të kësaj ministrie ishte Nenad Rikalo.

“Ministria ka degradua thellë dhe ky degradim ka qenë më i thelli, besoj se ju do keni mundësi me ju ra në sy këto degradime dhe shpresoj se do i përmirësoni, nëse dikur kanë qenë qindra mijëra euro grante për dikë, në ministrin paraprak kanë qenë me miliona”, tha Aliu.

Anëtarja e komisioni nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, pyeti se Zhiviq a e ka bërë pranim dorëzimin e detyrës se saj në krye të ministrisë.

“Kosova kurrë nuk ka pasur një mister të denjë për këtë dikaster, fatkeqësisht edhe ju që keni ardhur këtu për herë të parë pasni kohën e kufizuar, organi me i rëndësishëm që ka të bëj me monitorimin e ministrisë suaj është ky komision dhe dua ta keni parasysh juve po u bëj vetëm një pyetje sepse thatë qe do punoj me nder, a e keni bërë prerjen me punën tuaj në pranim dorëzimin e punës tuaj, për me pas sukses ju është një procedurë që duhet të bëni prerjen e pranim dorëzimit të punës”, tha ajo.

Gaxherri shtoi se janë 15 vjet që Qeveria jep vazhdimisht subvencione për ketë ministri dhe askush nuk di se si janë programet, kush po përfiton dhe nga po shkojnë paratë.

Ajo po ashtu kërkoi që raportimi të largohet nga pika e rendit të ditës pasi që nuk ka përgjigje të sakta dhe konkrete dhe për këtë kur duhet të shtyhet kjo pikë dite dhe kur të përgatitet ministria të vij për raportim.

“Kërkoj kjo pikë mu mbyll mu përgatit ministria dhe me na pru raporte konkrete për programe, përfituesit me shifra të sakta dhe nuk kemi nevojë me bërë debatin me media prezent sepse ka nevojë dikush me dhënë përgjegjësi, kërkoj që kjo pikë me u mbyll sepse nuk ka lëndë për të u diskutuar”, tha Gaxherri.

Ganimete Musliu nga PDK-ja, bashkë me tjerë deputetë, u ankuan se ministrja e Bujqësisë nëse nuk ka pasur kohë sot të qëndroj me gjatë është dashur të shtyhet takimi për një ditë tjetër.

“Unë mendoj se mos të ndodh më të ftohet një ministër me na thënë kqyrnja syretin dhe të ecë, ka nevojë me pas përgjegjësi dhe qytetarët duan të kenë përgjigje për shumë pyetje, nuk kemi nevojë me pa një ministër si syret”, tha ajo.

Musliu po ashtu tha se kjo mbledhje nuk mund të vazhdoj pasi që edhe stafi i ministrisë ishte dashur të dal jashtë në momentin kur është larguar ministrja Zhiviq dhe çdo moment që vazhdohet të diskutohet është degradim.

Ndër të tjera, kryesuesi i komisionit, Muharrem Nitaj me kërkesë të anëtarit Sali Zyba u dakorduan që në mbledhjen e ardhshme të ftohet ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, që të diskutohet për hidrocentralet.

Të ngjashme