Ministrja e Katarit e fton Muratin për një memorandum të bashkëpunimit në projekte

Prishtinë | 20 Maj 2024 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u takua me ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad.

Në njoftim thuhet se gjatë këtij takimi, Murati prezantoi masat e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e grave, të rinjve dhe grupeve të cenueshme të shoqërisë.

“Ministri përmendi shtesat për fëmijë dhe lehona, subvencionimin e pagës për të rinjtë përmes platformës Superpuna, heqjen e tarifave universitare, dhe ofrimin e bursave për gratë në teknologji dhe inovacion, si vetëm disa nga masat që portretizojnë punën e Qeverisë në këtë drejtim. Ministri falenderoi Ministren Nasser Al Misnad për vizitën në Kosovë duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Nga ana e saj, Al Misnad përgëzoi Qeverinë e Kosovës për politikat dhe masat e zbatuara, duke vlerësuar sistemin e digjitalizuar të ofrimit të shërbimeve sociale në Kosovë.

Ministrja ftoi Ministrin Murati të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi për projekte të përbashkëta të cilat pritet të zbatohen në të ardhmen.

Për të konkretizuar këtë, pas takimit të sotëm, të dyja palët u pajtuan që të formohet një ekip teknik për të diskutuar projekte me potencial për bashkëpunim ndërmjet dy shteteve.

Të ngjashme