Ministrja Gërvalla në Austri, bashkëbisedon me mërgimtarë në Salzburg

Austri | 20 Shk 2024 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Vizitën e saj zyrtare në Austri, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, e nisi me një takim me mergimtarë në Salzburg, me të cilët u bashkëbisedua për situatën në Kosovë, lidhjet e mërgatës me Kosovën, bashkëpunimin në sjelljen e investimeve të reja, zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe dhe promovimin e kulturës dhe traditës sonë te gjeneratat e reja.

Para bashkëatdhetarëve tanë, studentë, mjekë, infermierë, aktivistë, punëtorë nga profile të ndryshme e pensionistë, Ministrja Gërvalla paraqiti hapat e qeverisë së Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit dhe rritjen ekonomike, duke vlerësuar se bizneset e mërgimtarëve tanë janë të mirëseardhura në Kosovë dhe shteti për të cilin kontribuan aq shumë do të jetë mbështetës i ideve dhe projekteve të tyre, të cilat për qëllim kanë mbështetjen e familjeve të tyre, Kosovës dhe të rinjve në punësim.

Bashkëbisedimi mes Ministres Gërvalla dhe komunitetit shqiptar nga Salzburgu shpërfaqi sfidat me të cilat ballafaqohen ata, si e shohin Kosovën, cilat janë idetë e tyre për zhvillimin ekonomik të vendit, në ndërmarrësi, kulturë, sport dhe qeverisje të mirë.

Bashkëatdhetarët tanë në Salzburg u shprehën të kënaqur që tashmë kanë një trajtim më dinjitoz me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre qytetar.

Ministja Gërvalla i falënderoi mërgimtarët për mbështetjen e dhënë për Kosovën në etapat më kritike të saj si edhe sot, me remitencat e tyre, të cilat duhet kthyer në mjet investimi të qëndrueshëm në Kosovë.

Të ngjashme