Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, e ka filluar vizitën e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me nderime te varri i tre vëllezërve Bytyçi, shqiptaro – amerikanëve që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Bashkë me prindërit e heronjve të Kosovës, vëllezërve Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, para varrit të tyre në varrezat e Yonkers të Nju Jorkut, si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella për sakrificën e familjes Bytyçi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Haradinaj – Stublla.
“Bashkëndjeva dhimbjen e nënës Bahrie dhe bashkëluftëtarëve të Batalionit Atlantiku, duke vazhduar premtimin se nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet gjenocidale të Serbisë të kryera në Kosovë”, u shpreh ajo.
Haradinaj Stublla tha se Rezoluta e miratuar në Kongresin Amerikan, në shkurt të vitit 2017, është mesazh i qartë për Serbinë – se pranimi i fajësisë, kërkim-falja dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave e vrasjeve së shqiptarëve të Kosovës, është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon.