Ministrja Haxhiu takohet me Rushitin, flasin për themelimin e Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë

Prishtinë | 20 Pri 2021 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Ministrja Albulena Haxhiu, së bashku me këshilltaren politike Nazlie Bala, pritën në takim drejtoreshën e QKRMT-së, Feride Rushiti dhe zyrtarin ligjor Alban Muriçi.

Për funksionalizim dhe progres më të madh të institucioneve korrektuese, u diskutua për ngritjen e një institucioni të veçantë për vendosjen dhe trajtimin e të paraburgosurve me probleme mendore; për reformimin e punës së Panelit për Lirim me Kusht, si dhe rreth përfshirjes së QKRMT-së në procesin e plotësim/ ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale.

Çështje diskutimi ishte edhe aspekti i drejtësisë tranzicionale, duke trajtuar më shumë rreth themelimit të Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë; Rolit të Departamentit për Drejtësi Tranzicionale, si dhe rreth aspektit të punësimit të viktimave të dhunës seksuale.

Palët u zotuan që të vazhdojnë përpjekjet dhe bashkëpunimet mes vete në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve ekzistuese edhe në Shërbimin Korrektues.

Të ngjashme