Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë, me ç’rast ka takuar z. Peter Goldgruber, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Austrisë. Në këtë takim Ministrja Hoxha kërkoi përkrahjen e Austrisë për votimin në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
„Përkrahja e Austrisë, për procesin e liberalizimit te vizave është e domosdoshme për shumë arsye”, theksoi Ministrja Hoxha duke e njoftuar sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të arriturat në fushën e sigurisë, migracionit dhe në veçanti sigurisë së kufijve.
Andaj, Ministrja Hoxha kërkoi përkrahjen e Austrisë që liberalizimi i vizave të vihet në agjendën e Këshillit të Ministrave sa më parë që të jetë e mundur. Ministrja Hoxha, po ashtu, theksoi rëndësinë që BE të mbajë premtimet e dhëna dhe pas plotësimit të kritereve të mos i ndëshkoj qytetarët tanë.
Sekretari i shtetit, Goldgruber, e konfirmoi mbështetjen për Kosovën në procesin integrues dhe liberalizimin e vizave për mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, duke theksuar se Austria do të jetë vazhdimisht krah i fuqishëm edhe për integrimin në organizatat ndërkombëtare.