Ministrja Rizvanolli diskuton me sektorin privat lidhur me sigurinë e furnizimit me energji

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Për të diskutuar lidhur me sigurinë e furnizimit me energji, tarifat e energjisë, rritjen e efiçencës energjetike, por edhe potencialet për energji të ripërtërishme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum diskutimi me temën “Çfarë dimri na pret sa i përket furnizimit me energji?”, në të cilën përveç përfaqësuesve të ndërmarrjeve private morën pjesë edhe akterë institucionalë përgjegjës për çështjet energjetike.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se konsumatorët në Kosovë duhet të kontribuojnë në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë. Ajo tha se objektivat kryesore të institucioneve të vendit përfshijnë reduktimin e konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike. Ministrja Rizvanolli më tej tha se Lufta në Ukrainë ka ndikuar që tërë kontinenti evropian, përfshirë edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të ballafaqohen me situatë të pasigurt për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Ministrja paralajmëroi edhe shpalljen e ankandeve në muajt në vijim, për dhënie të licencave për kompanitë e interesuara për gjenerim të energjisë elektrike nga burimet e diellit dhe erës.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) Ymer Fejzullahu rikujtoi vendosjen e tarifave të reja të energjisë në shkurt të këtij viti, dhe mosngritjen e tarifave për bizneset, duke e vlerësuar atë si një vendim të drejtë, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha. Ai theksoi se ZRRE vazhdon të insistojë në realizimin e të gjitha investimeve të parapara kapitale edhe në infrastrukturën e transmisionit edhe atë të furnizimit. Ai paralajmëroi edhe lehtësimin e kritereve për sa i përket licencimit të kapaciteteve gjeneruese për qëllime të vetëkonsumit. Fejzullahu foli edhe për nevojën e përmbylljes së liberalizimit të tregut të energjisë, duke theksuar përfitimet të cilat do t’i kishin konsumatorët nga kalimi në treg të lirë.

Mimozë Veliu, Analiste e Ekonomisë Qarkore në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), theksoi rëndësinë e foli për rëndësinë e fokusimit në aktivitete të ekonomisë qarkore, përfshirë edhe trajtimin sistematik të mbeturinave, duke ndikuar kështu edhe në aspektin ekologjik, por edhe në krijimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Ilir Ibrahimi, përfaqësues i sektorit privat, shprehu shqetësimin e tij për furnizimin me energji për këtë dimër të ardhshëm. Ai shtoi se furnizimi me energji është padyshim në rrezik dhe se institucionet duhet urgjentisht të adresojnë kërkesën e madhe, duke u fokusuar edhe në diversifikimin e burimeve të energjisë.

Të ngjashme