Ministrja e dekretuar e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, i bëri apel sot studentëve që po pengojnë punën e sekretarive në disa fakultete, të mundësojnë funksionimin e tyre, sepse është shumë e rëndësishme të zbatojmë Vendimet e Këshillit të Ministrave që kanë të bëjnë me tarifat dhe dhënien e bursave.
Në një deklaratë për mediat, Shahini theksoi se “në ato fakultete ku një grup studentësh po pengojnë mësimin, ka pasur raste ku janë penguar edhe sekretaritë që të funksionojnë, si dhe janë penguar njerëzit që të shkojnë edhe deri në zyrat e sekretarive. Aty për fat të keq ka qenë e pamundur që të kemi personat e Ministrisë së Arsimit që t’iu asistojnë juve”.
Shani u shpreh se “është e rëndësishme dhe ftoj edhe universitetet dhe studentët që janë në këto fakultete duke protestuar të mundësojnë punën e sekretarive dhe të mundësojnë sot pjesëmarrjen e personave nga Ministria e Arsimit që t’iu asistojnë me pyetjet e çfarëdollojshme që ju keni”.
“Në rast se sekretaritë nuk funksionojnë ne nuk e marrim listën e plotë të studentëve që janë përfitues të bursave dhe përfitues të përjashtimeve të ndryshme nga tarifat dhe kjo vonon procesin e marrjes së bursave dhe përjashtimit të tarifave nga ana juaj”, nënvizoi Shahni.
Po ashtu, Shahini tha se “ne kemi mundësuar që përmes portalit “shqiperiaqeduam.al” të kthejmë përgjigje për pyetjet që mund të keni për të sqaruar sa më shumë mënyrën sesi zbatohen këto VKM, që prekin direkt çështjet që kanë të bëjnë me tarifat dhe bursat”.
“Do të ketë persona të dedikuar të MAS që do të kenë përgjigje në kohën e duhur, mundësisht edhe live. Përveç portalit kemi edhe Facebook e MAS, ku do të kemi mundësinë që të kthejmë përgjigje. Do të bëjmë një njoftim që të dimë sesi do të jetë komunikimi mes ministrisë dhe studentëve sa më shpejt të jetë e mundur”, bëri të ditur Shahini.
Ajo sqaroi se “sot është dita e fundit që personat e Ministrisë së Arsimit janë në zyrat e fakulteteve të ndryshme dhe nga sot pasdite këta persona i keni në celularë dhe mund t’i dërgoni pyetjet aty”.