Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar situatën e krijuar rreth kërkesave të studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Në një komunikatë, kjo shoqatë u ka bërë thirrje institucioneve kryesore të vendit që të reagojnë pa vonesë dhe me përgjegjësi të plotë.
“Ne bëjmë apel të sinqertë tek të gjitha institucionet relevante: Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, Gjykata Kushtetuese dhe partitë politike, që pa hezitim dhe me përgjegjësi të plotë të realizojnë kërkesat e studentëve në mënyrë të drejtë dhe urgjente”, thuhet në deklaratë.
Shoqata ka paralajmëruar edhe për rrezikun e rritjes së tensioneve politike, duke theksuar nevojën për qetësi dhe dialog në rrethanat aktuale.
“Shoqata jonë shpreh shqetësimin për tensionet e mundshme politike, duke vlerësuar rëndësinë e qetësisë dhe dialogut në një kohë kur tensionet ndërkombëtare po kulmojnë”, theksohet më tej.
Në reagim thuhet se institucionet duhet të dëshmojnë përkushtim në ruajtjen e stabilitetit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët.
“Është koha që institucionet të tregojnë vendosmërinë dhe angazhimin për të ruajtur stabilitetin dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët, pa përjashtim”, vijon deklarata.
Ndërkohë, studentët shqiptarë kanë protestuar sot në Shkup, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre ligjore. Ata marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkuan nga ministri Igor Fillkov që të ofrojë një zgjidhje konkrete.
Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka shprehur mbështetje për studentët, duke theksuar se e drejta për arsim të barabartë dhe respektimi i ligjit duhet të garantohen pa vonesë.
“Shoqata ‘Miqtë e Amerikës’ mbështet të drejtën e studentëve për arsim të barabartë dhe respektimin e ligjit, dhe kërkon nga institucionet që të veprojnë menjëherë për të garantuar drejtësi dhe stabilitet”, përfundon deklarata.