Miratohet Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Prishtinë | 09 Shk 2023 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës, me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Po ashtu, në seancën e sotme plenare deri më tani ka votuar edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe zhvendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur ligjin, kurse partitë e tjera nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se byroja të bëhet, por jo në kurriz të politizimit.

“Pavarësisht të gjithave, këtij projektligji t’ia jep mbështetjen pas miratimit të Venecias. Pra do të votojmë për. Mbështetja me votë sidoqoftë nuk do të thotë se nuk kemi vërejtje dhe pyetje. Drafti që po e votojmë sot fatmirësisht ndryshon nga drafti kundërkushtetues që u votua në korrik të vitit 2022, por megjithatë ka paqartësi. Byroja le të bëhet, le të konfiskojë mijëra dhe miliona, pasi hajnisë asnjë qytetar s’ia ka pasur hak dhe as sistemit të ngathtë të drejtësisë, por jo në kurriz të politizimit”, tha ajo.

Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i projektligjit nuk është që të goditet ndonjë zyrtar publik, por vetëm pasuria e pajustifikueshme e cilitdo zyrtari.

“Nuk është qëllimi që të goditet një zyrtar, por qëllimi është që të luftohet pasuria e pajustifikueshme e kujdo qoftë zyrtari”, tha ajo.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Në lidhje me këtë projektligj, 61 vota ishin pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ku rrjedhimisht u ngarkuan komisioni i përhershëm dhe ata funksionalë që ta trajtojnë këtë projektligj dhe ta sjellin atë në lexim të dytë.

Të ngjashme