Kuvendi ka miratuar ndryshimin e parë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare me 61 për, 13 abstenime dhe 4 kundër, raporton Ekonomia Online.
Më anë të të cilit pesë bashkësive fetare aktuale në Kosovë i shtohet edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe regjistrimi i bashkësive të reja. Gjithashtu nga ligji është propozuar të fshihet në tërësi neni i fondeve.
Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë prezantimit të këtij projektligji propozoi që të hiqet kuota prej 50 nënshkrimeve që ishin në ligjin aktual për regjistrimin e një bashkësie të re, duke kërkuar që të votohet ngase është i nevojshëm për anëtarësim në UNESCO.
Gjatë debatit në seancë të gjitha grupet parlamentare u pajtuan se ky projekt ligj për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për liri fetare ka qenë mese i domosdoshëm për një kohë të gjatë në Kosovë.
Ato ngritën shumë çështje që sipas tyre do të duheshin të integroheshin në këtë projekt ligj dhe këtë do ta bëjnë gjatë punimeve të grupit punues.