Miratohet Projektligji për lirinë fetare – Mungesa e Listës Serbe, problem për votimin në Kuvend

Prishtinë | 01 Mar 2023 | 12:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka shqyrtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Projektligji u miratua në fund të komisionit, me 7  vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Mirëpo, si problematike, gjatë këtij komisioni u pa mungesa e Listës Serbe, raporton Ekonomia Online.

Duda Balje, kryetare e komisionit tha se mungon lista serbe në këtë komision dhe i ftoi ata që të bashkëngjiten.

Duke konsideruar këtë projektligj për lirinë fetare si ligj në favor të gjitha feve në Kosovë, Balje u shpreh se me këtë situatë në Kuvend nuk presin që ky projektligj të miratohet.

“Kolegialisht po dua ta ftoj anëtarin e Listës Serbe të bashkëpunojë me ne bashkë për ta bërë këtë ligj, sepse ai shkon edhe në favor të Kishës Ortodokse, Katolike dhe komunitetin mysliman. Edhe bektashianët janë pjesë e këtij ligji, për çka kemi punuar vërtet shumë, por nëse nuk kemi vota domethënë komplet puna do të jetë e zbrazët, sepse është politike. Tash si është situata në Kuvend ne prej sot mundemi ta definojmë se nuk mundemi ta dërgojmë me sukses  këtë ligj, i cili shtë shumë pozitiv dhe po shkon në favor të secilës fe këtu”, u shpreh Balje, raporton KosovaPress, përcjell Klankosova.tv.

Brengën e njëjtë e shprehu edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila kërkoi që të nisin diskutimet me Listën Serbe për t’i siguruar 2/3 e votave që nevojiten për miratim të këtij ligji.

“Për mua brenga kryesore është duke e ditur situatën politike dhe mosprezenca e grupit të komunitetit serb në Kuvend dhe Komisioni, ligji është ligj vital i kërkon 2/3, nuk dua të gjykoj në seriozitetin për ta shtyrë ligjin përpara, por në një rrethanë të tillë politike kisha dashur me besu që të mos jetë vetëm një proces sa për të thënë se ne po e sjellim por, po bojkotojnë të tjerët. Nëse ka vullnet nga palët politike që me diskutua me komunitetin serb që ata me qenë pjesë e procesit atëherë mendoj se është moment i mirë dhe rrugë e mirë, por kështu siç është në start e dimë se nëse nuk ka diskutim me palën tjetër dhe me u sigurua me 2/3 ne kemi me punua në ligj dhe ligji ka me mbet në Kuvend. Dua të besoj në vullnetin e mirë që nuk është vetëm për shoë, por është thjesht për me krye punë deri në fund”, tha Hoxha.

Ndërsa, Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që Komisioni për të Drejtat e Njeriut ta miratojë projektligjin për liritë fetare me qëllim që ky projektligj të marrë rrugë ligjore.

“Është mirë të vazhdojmë me miratim që me marrë rrugën ligjore dhe pastaj Komisioni jonë me qenë më aktiv se çka na takon në diskutimin dhe përmbajtjen më të detajueshme. Sot është mirë ta miratojmë për rrugën e vetë ligjore si ligj”, tha ajo.

Pas diskutimit, anëtarët e pranishëm të Komisionit votuan pro projektligjit për lirinë fetare.

“Ligji prej sot është prapë në Kryesi dhe ne jemi duke pritur si rend dite në Kuvend dhe pastaj a hapim ligjin këtu dhe bëjmë disa takime me palët e interesit”, u shpreh Balje.

Në këtë mbledhje të Komisionit për të Drejtat e Njeriut u shqyrtuan edhe disa peticione.

Në fund të janarit të këtij viti, Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për lirinë fetare, ku kryeministri Albin Kurti tha se ky projektligj ka për qëllim të ruajë pluralizmin fetare e t’ua ofrojë bashkësive fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht.

Në dëgjimin publik për projektligjin e Lirive Fetare, Ambasada Amerikane në Kosovë ka kërkuar që të lejohet regjistrimi i bashkësive fetare pavarësisht numrit të anëtarëve dhe kohëzgjatjes së atij grupi fetar në Kosovë.

Të ngjashme