Federata e Futbollit të Kosovës e ka mbajtur sot Kuvendin e Rregullt të Punës, të cilin edhe këtë herë, për të dytin vit radhazi, e mbajti me dyer të mbyllura për mediat.
Krejt çka bëri shtëpia e futbollit kosovar ishte transmetimi i këtij Kuvendi “LIVE” përmes kanalit zyrtar të saj në Youtube.
Në këtë Kuvend është prezantuar puna e bërë nga institucioni më i lartë i futbollit kosovar gjatë vitit që shkoi, ndërsa kryetari Agim Ademi tha se gjithçka ka shkuar në rregull me futbollin kosovar teksa e shpalosi punën e bërë në vitin 2023.
E atij “aminin” ia dhanë edhe delegatët e pranishëm në Kuvend, të cilët unanimisht, pa asnjë votë kundër e pa asnjë abstenim, e votuan Raportin e Punës dhe atë Financiar, Procesverbalin e Kuvendit të kaluar si dhe propozimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për anëtarët e Komisionit Zgjedhor dhe të organeve gjyqësore, por edhe Kodin Zgjedhor.
Për dallim prej disa Kuvendeve të kaluar, ku nuk kishin marrë pjesë në shenjë pakënaqësie ose kur e kishin lëshuar Kuvendin gjatë mbajtjes së tij, drejtuesit e Dritës kanë marrë pjesë këtë herë dhe i kanë kërkuar vetëm disa sqarime të raportit financiar përmes drejtorit sportiv të tyre, Valon Zymberi, i cili mori përgjigje nga kryetari Ademi dhe më pas gjithçka ishte “OK” edhe për ta./GE