Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi 2019-23 dhe planin e veprimit 2019-2021, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se përmes kësaj strategjie mundësohet realizimi i objektivave të ministrisë së Inovacionit.
“Objektivat strategjike janë zhvillimi i një sistemi për inovacion, rritja për inovacion, mbështetja e të rinjve dhe grave në biznese. Synimi i ministrisë sonë është stimulimi i aktiviteteve inovative dhe me miratimin e kësaj strategjie mundëson realizimin e objektivat tona”, tha Beqaj.
Strategjia, përmes objektivave strategjike dhe specifike, përkatësisht shtyllave tematike dhe planit të veprimit, përcakton orientimin strategjik të politikave publike, infrastrukturës ligjore, pakos financiare dhe fiskale, si dhe qasja integrale e ekosistemit të inovacionit dhe Ndërmarrësisë.