Miratohet vendimi për restaurimin e shtëpisë së Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës, Planifikimit dhe Mjedisit Hapësinor, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotshme të Qeverisë është miratuar vendimi për shpronësimin e pronës së paluajtshme për realizimin e Projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

Aliu tha se, kompleksi do të marrë formën më meritore që i takon, e që garanton mbrojtjen e plotë të kompleksit dhe shtëpive, raporton Ekonomia Online.

“Si Qeveri jemi të përkushtuar që kompleksi të marrë formën më meritore të konzervimit dhe menaxhimit, për t’u përmirësuar kështu në mënyrë të kujdesshme, duke garantuar mbrojtjen e plotë e të mirëfilltë të kompleksit dhe shtëpive”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i ministrit:

Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë, miratuam vendimin preliminar për shpronësimin e pronës së paluajtshme për realizimin e Projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

Si Qeveri jemi të përkushtuar që kompleksi të marrë formën më meritore të konzervimit dhe menaxhimit, për t’u përmirësuar kështu në mënyrë të kujdesshme, duke garantuar mbrojtjen e plotë e të mirëfilltë të kompleksit dhe shtëpive.

Kompleksi Memorial “Masakra e Reçakut”, përfshin varrezat e martirëve, murin përkujtimor, shtatoren e William Walkerit, zyret administrative, dhe në kuadër të zonës së veçantë janë edhe dy shtëpitë ku kanë ndodhur masakrat dhe janë lënë gjurmë të kujtesës së luftës, si një nga ngjarjet më të dhimbshme për popullin tonë.

Të ngjashme