Hashim Thaçi, sot i ka mbushur një vit prej se i ka marrë votat e deputetëve shumicë për t’u bërë president i shtetit, ndonëse zyrtarisht punën e ka nisur në muajin prill, atëherë kur e ka përfunduar misionin e saj, pararendësja e tij Atifete Jahjaga.
Zgjedhja e tij si presidenti i katërt i Republikës së Kosovës, u përcoll me kundërshtime të shumta si nga deputetët opozitarë, ashtu edhe nga ana e disa deputetëve të koalicionit qeverisës.
Seanca në të cilën u zgjodh ai kryetar shteti, ishte e mbushur me gaz lotsjellës, për sa kohë që edhe jashtë dyerve të Kuvendit protestohej nga qytetarë e aktivistë partiakë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ai arriti të bëhej president në raundin e tretë të votimeve. Por, përgjatë kësaj periudhe, Thaçi nuk arriti t’i ulë asnjëherë rreth vetës përfaqësuesit e opozitës.
Angazhimi në krye të shtetit, nga opozitarët vazhdon të shihet me kriticizëm.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se asnjëherë nuk duhet harruar faktin se në çfarë rrethanash është zgjedhur president, Hashim Thaçi.
“Thaçi u zgjodh president nën tymin e gazit lotësjellës dhe nën tytat e snajperëve drejtuar qytetarëve dhe pas arrestimit të deputetëve”, përkujton Haxhiu për Aktivpress.
Ajo insiston se presidenti Thaçi nuk është figurë unifikuese e shtetit pasi sipas saj, ai i ka kërcënuar qytetarët dhe opozitën.
“I ashtuquajturi President nuk mund të jetë asnjëherë figurë unifikuese, por është figurë përçarëse sepse është i njëjti i cili ka kërcënuar qytetarët protestues duke iu thënë: ‘I pritëm, nuk erdhën’, “Me kafe nuk i kisha pritë”. Pra ky ka kërcënuar edhe me jetë qytetarët tanë. Ky njeri nuk është president i qytetareve por i deputetëve të PDK dhe LDK, që shumë prej tyre e shiten votën e tyre duke e votuar atë për president”, ka thënë Haxhiu.
Thaçi, sipas saj, do të japë llogari për krijimin e “Zajednicës” dhe Demarkacionit.
“Roli i tij, sidomos në krijimin e ‘Zajednices’ dhe votimin e marrëveshjes qe i falë mbi 8200 ha, Malit të Zi, është jashtëzakonisht i dëmshëm, por sigurisht që nuk është e largët koha kur ky do të jap llogari politike dhe penale për gjitha dëmet që ia sjellë dhe po mundohet t’ia sjellë Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Në të njëjtën frymë shprehet edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi.
“Roli i presidentit ka qenë nën çdo nivel për shkak se nuk ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu nuk ka arritur asnjëherë t’i ulë në një tavolinë përfaqësuesit politik dhe institucional të Kosovës”, ka deklaruar Isufi.
Edhe për anëtarin e AAK-së, zgjedhja e presidentit të vendit, do të mbahet mend me gazin lotësjellës dhe me protestat qytetare.
“Të vetmet gjëra që mbahen mend nga presidenti janë veprimet anti kushtetuese dhe ligjore të cilat i ka bërë deri më tani. Ai është zgjedhur në mënyrën më të keqe të mundshme, me gaz lotësjellës, me protesta dhe me pakënaqësi qytetare. Po ashtu me mosunifikim të faktorit politik dhe institucional të vendit”, tha ai. Isufi ka shtuar se presidenti, Hashim Thaçi ka pasur rol të zbehtë edhe në diplomacinë e jashtme.
Analisti Imer Mushkolaj, nga ana tjetër vlerëson se presidenti Hashim Thaçi është përpjekur të jetë unifkues, por siç thotë ai, presidenti ka mbetur po aq përçarës sa ka qenë edhe si kryetar i PDK-së dhe kryeministër.
“Gjatë një viti mandat, presidenti Thaçi është përpjekur të paraqitet çfarë nuk është në të vërtetë. Ai është përpjekur të tregohet unifikues, ndërkohë që ka mbetur po aq përçarës sa ka qenë edhe si kryetar i PDK-së e kryeministër”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas Mushkolajt problemet, presidenti Thaci i ka zgjidhur me Kanun dhe se sipas tij ka ngecur në diplomacinë e jashtme me homologët botëror. Ai ka shtuar se presidenti ka marrë edhe përgjegjësi të cilat sipas tij nuk i takojnë.
“Është përpjekur t’i inkurajojë organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre, e në anën tjetër problemet personale i ka zgjedhur me Kanun. Thaçi ka dështuar edhe në aspektin e prezantimit jashtë Kosovës, ngase nuk kanë ndodhur vizita të ndërsjella me homologët në rajon e botë. Po ashtu, ai gjatë gjithë kohës është përpjekur që të fuqizojë veten në detyrë, për të marrë edhe përgjegjësi që nuk i takojnë”, ka deklaruar Mushkolaj.
Presidenti Thaçi ka rikthyer procesin e reformës kushtetuese, për sa kohë që nuk e ka kthyer asnjë ligj prapa në Kuvend.
Ai ka marr meritat për ndaljen e trenit që ishte nisur nga Beogradi për të hyrë në Kosovë.
Së fundmi është shprehur kritik ndaj Kuvendit që nuk ka marr vendim për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Një premtim u ka dhënë përfaqësuesve malazezw e kroat se komunitetet e tyre do t’i bëjë entitete kushtetuese.
Për shkak të ndjeshmërisë së situatës, muajve të fundit ai është angazhuar në dialogun me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel, dialog të cilin e kishte nisur vet në kohën kur ishte kryeministër. Ajo që shihet si mision i pamundur i tij, është bindja e opozitës që ta njohin si president. (AktivPress)