Mitrovica ndan 28 makina mjelëse, 7 laktofriza dhe 12 bidona për fermerët lokalë

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Mitrovicës ka ndarë sot 28 makina mjelëse, 7 laktofriza dhe 12 bidona për fermerët mitrovicas.

Qëllimi i këtij projekti është stimulimi i fermerëve në përmirësimin e kushteve të punës, në rritjen dhe nxitjen e prodhimtarisë blegtorale, rritjen e higjienës së qumështit si dhe uljen e kostos së prodhimit.

Me këtë projekt kanë përfituar fermerët nga Komuna e Mitrovicës, të cilët njëherësh kanë qenë pjesëmarrës në vlerë prej 20%, ndërsa pjesën tjetër të çmimit, prej 80 %, e ka mbuluar Drejtoria e Bujqësisë. Vlera totale e projektit kap shumën prej 18.000 euro.

Në ceremoninë e ndarjes së makinave mjelëse të qumështit për fermerët e komunës së Mitrovicës, ishte prezent edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku.

Sadiku ka thënë së është ky subvencioni i radhës në kuadër të kësaj Drejtorie, “ku po bëjmë shpërndarjen e makinave mjelëse, bidonave dhe laktrofrizave për të mbështetur fermerët tanë”.

Ndërsa Bahtiri u shpreh i sigurt që do vazhdohet edhe më tutje që ti kushtohet një angazhim i veçantë sektorit të bujqësisë.

“Ndihem i lumtur që sot gjendem në mesin tuaj për të vazhduar procesin e mbështetjes me subvencione nga Buxheti Komunal, për ndarjen e makinave mjelëse të qumështit për fermerë të komunës sonë, ku në vazhdimësi Komuna me Drejtorinë e Bujqësisë është fokusuar në mbështetje të të gjithë fermerëve në sektorët e bujqësisë, blegtori, vreshtari, pemëtari dhe bletari. Komuna e Mitrovicës ka treguar se edhe përkundër sfidave, ka investuar në disa sektorë, që ngrisin kapacitetet e përgjithshme të fermerëve për punën e tyre. Të gjitha shumat e granteve të Komunës dhe donacionet nga donatorët, komuna është angazhuar që bashkërisht me ju, t’i ndajë ato në mënyrë proporcionale që këto fonde të jenë gjithëpërfshirëse”, tha Bahtiri.

Ndërsa fermerët që morën makinat mjelëse u shprehën të jenë mirënjohës për mbështetjen e komunës në lehtësim të punës së tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme