Një ekip i mjekëve nga Italia të udhëhequr nga doktor Carlo Barzaghi dhe Maurizio Levantino, po operojnë pacientët në QKUK.
Mjekët italian deri më tani kanë operuar katër pacientë me probleme kardiokirurgjike dhe gjatë gjithë kohës po asistohen edhe nga mjekët vendorë, transmeton Klan Kosova.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Basri Sejdiu, ka thënë se ky bashkëpunim me mjekët italianë po bëhet në kuadër të ngritjes profesionale të stafit dhe është një ndihmesë e madhe për institucionin.
Ai ka lavdëruar edhe kardiokirurgët e QKUK-së, duke thënë se janë duke e kryer punën mjaft mirë.
Ndërsa doktori Maurizio Levantino, ka bërë të ditur se në Kosovë kanë ardhur me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjionit të Toskanës.
Levantino ka thënë se deri tani kanë kryer katër operacione të hapura në zemër, në bashkëpunim edhe me ekipin e mjekëve kardiokirurgë nga Kosova.
Sipas tij, Kosova ka mjekë të mirë që kanë dëshmuar profesionalizmin edhe gjatë punës në operacione.
Me datën 17 të këtij muaji pritet që një ekip tjetër i mjekëve nga Italia të vijë në Kosovë për të operuar fëmijët që kanë probleme me zemër.