Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk është përfshirë në Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirusin, dhe as në grupet tjera për emergjenca.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i IML-së Dr. Arsim Gërxhaliu, i cili ka thënë se nuk është kontaktuar nga askush edhe pse sipas tij do të duhej të ishin pjesë e grupeve teknike emergjente në rastet kur priten viktima, shkruan Gazeta Shneta. E për fat të keq sot është shënuar viktima e parë nga koronavirusi në Kosovë. Një 82-vjeçar nga Podujeva ka ndërruar jetë pasi ishte kontakt i fëmijëve të tij të cilët kishin ardhur nga Italia dhe ishin konfirmuar më parë me Covid-19.
Një problem që është shfaqur këto ditë është mungesa e qeskave të kufomave të cilat Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur t’i sigurojë në procedurat urgjente të blerjes, për shkak se asnjë kompani nuk ka ofertuar. Këtë e ka konfirmuar Sekretari i MSH-së Dr. Naim Bardiqi në një intervistë para disa ditësh.
Në anën tjetër Gërxhaliu ka thënë se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në këtë situatë, teksa ka konfirmuar se kanë në stok 132 qeska të cilat janë porositur më parë sipas planifikimeve të zakonshme.
“Në stok i kemi 132 qeska të cilat janë porositur për punën tonë rutinore. Kemi bërë porosi konform asaj që na lejon buxheti”.
“Në raste të tilla të vdekjeve sikurse rasti konkret, autopsitë nga sëmundjet janë detyrë e Institutit të Patologjisë, sepse ne kryejmë vetëm rastet penale. Por meqë e di se vendi ynë nuk është i përgatitur për një gjë të tillë (emergjencat) atëherë rasti mbyllet bazuar në dokumentacionin mjekësor. Rast praktik është Italia ku ka kollabuar në këtë situatë dhe i mbyllin rastet kurse hapi që kanë marrë është si hap i rëndësishëm që rastet mos t’i varrosin por t’i dërgojnë në krematorium”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka thënë se IML asnjëherë në këto 20 vite nuk është ftuar që të jetë pjesë e grupit të emergjencave dhe të jap mendimet profesionale lidhur me përgatitjet e shtetit në raste të emergjencave ose katastrofave në masë. “Sido që të jetë IML jemi të mobilizuar dhe të gatshëm të japim kontributin tonë në kuadër të mundësive që posedojmë”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ndërkaq Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka thënë se posedon sasi te qeseve per kufoma, por nuk kanë treguar numrin e saktë. “Presim që në furnizimin e Msh, të furnizohemi me sasi shtesë të tyre. Momentalisht ka edhe Klinika Infektive edhd intensivja qendrore”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.