Mjekët e klubeve të Serie A dhe Asociacioni i Lojtarëve janë bashkuar në kërcënimin për grevë, nëse klubet bëjnë presion për t’u kthyer shpejtë në stërvitje, pas krizës së koronavirusit.
Ka pasur raportime për një përplasje në takimin e klubeve të Serie A, në mes të presidentit të Lazios, Claudio Lotito dhe presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli, për atë se sa gjatë duhet të jenë stërvitjet e ndërprera.
Një komunikatë është lëshuar të shtunën nga mjekët e Serie A, ku bëhet e qartë se ata janë të gatshëm për të ndërmarrë masa nëse kjo është e nevojshme, raporton Koha.net.
“Duke konsideruar seriozitetin e situatës me COVID – 19, mjekët e Serie A shprehin brengën e tyre të madhe lidhur me shëndetin e të punësuarve në klube, nëse stërvitjet rifillojnë shumë shpejtë. Mjekët në mënyrë unanime këshillojnë që mos të vazhdohet me stërvitje deri te një përmirësim i dukshëm i situatës”, thuhet në qëndrimin e mjekëve.
Nëntë lojtarë të Serie A kanë dalë pozitiv në testet për koronavirus. Bëhet fjalë për një lojtar të Juventusit, pesë të Sampdorias dhe tre të Fiorentinas. Janë prekur edhe punonjës të klubeve.
Mjeku i Lazios, Ivo Pulcini ka thënë se në këtë klub kanë vendosur të ndërprejnë çdo gjë deri më 21 mars.
“Disa kolegë menjëherë të hënën do të përballen me pronarët e klubeve që dëshirojnë që stërvitjet të vazhdojnë menjëherë. Kjo është shumë brengosëse kur bëhet fjalë për ruajtjen e shëndetit të të gjithëve”, ka thënë ai.
Asociacioni i Lojtarëve të Italisë po ashtu ka lëshuar një komunikatë pas presionit që lojtarët të kthehen në stërvitje menjëherë javën tjetër.
“Jemi të indinjuar që disa klube thërrasin lojtarët për të stërvitur në grupe të vogla. Për më tepër disa lojtarë ftohen nga klubet vetëm për të matur temperaturën. Nëse klubet në Itali thërrasin lojtarët për t’u testuar, duke i detyruar që të dalin nga shtëpitë për diçka që mund të bëhet përmes telefonit, atëherë ky është akt i turpshëm dhe i papërgjegjshëm”, thuhet në komunikatën e shoqatës së lojtarëve.
Serie A është e pezulluar deri më 3 prill.