Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i shoqëruar nga ud. drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë, Klinikën Emergjente dhe klinikat e Kirurgjisë, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e komisionit për Shëndetësi Albena Reshitaj, ka thënë se kanë ardhur për të parë nga afër situatën me pandeminë, menaxhimin por edhe kushtet apo nevojat që kanë stafi shëndetësor në këto klinika.
Ajo ka shtuar se kanë vizituar disa prej klinikave të Kirurgjisë për të shikuar nëse ka filluar riofrimi i shërbimeve spitalore.
Tutje ajo ka thënë se klinika e Onkologjisë ka nevojë për përkrahje, edhe nga institucionet e tjera. Reshitaj ka thënë se disa nga kërkesat e mjekëve kanë qenë kryesisht ato infrastrukturore.
Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se një prej kërkesave ka qenë ngritja e pagave të stafit shëndetësor, raporton EO.
Ndërsa Drejtor i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se gjendja në klinikën e Onkologjisë për momentin është stabile, ndërsa shifrat kapin mbi 200 mijë shërbime.