Më shumë se 60 mjekë e kanë shkruar një letër të hapur, në të cilën kanë thënë se shëndeti i themeluesit të faqes “WikiLeaks”, Julian Assange, mund të ketë shëndet aq të dobët, saqë mund të vdesë në burgun e sigurisë së lartë në Britani.
Australiani 48-vjeç ende është duke luftuar me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e tij nga Britania nën akuzën për spiunazh. Nëse do të gjykohej nga drejtësia amerikane dhe nëse do të shpallej fajtor, ai do të mund të dënohej maksimalisht me 175 vjet burgim.
Në letrën dërguar ministres së brendshme britanike, Priti Patel, mjekët bënë thirrje që Assange të largohen nga burgu “Belmarsh” në Londër dhe të dërgohet në një spital universitar.
Ata e mbështetën vlerësimin e tyre për shëndetin e australianit në rrëfimet e dëshmitarëve të paraqitjes së tij në gjykatë më 21 tetor dhe në raportin e 1 nëntorit të Nils Melzer-it, raportues special i Kombeve të Bashkuara për torturën.
Eksperti i pavarur i Kombeve të Bashkuara kishte thënë se Assange po vazhdon të jetë i ekspozuar ndaj sjelljeve arbitrare dhe abuzimit, të cilat mund t’i kushtojnë së shpejti me jetë.
“Po e shkruajmë këtë letër të hapur si mjekë për ta shprehur shqetësimin tonë të thellë për shëndetin fizik dhe mendor të Julian Assange-s”, thuhet në letrën me 16 faqe, të shkruar nga mjekët e shteteve të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australinë, Britaninë, Suedinë, Italinë, Gjermaninë, Poloninë dhe Sri-Lankën.
Assange e kishte përdorur faqen “WikiLeaks” për të publikuar të dhëna të klasifikuara ushtarake dhe diplomatike për bombardimet e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Irak, shkruan “The Guardian”, transmeton gazetaexpress.