Gjatë javës së shëndetësisë kosovare-turke, mjekët turq së bashku me mjekët kosovarë realizuan më shumë se 80 operacione në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë, vizituan pacientët e operuar në repartin e Kirurgjisë dhe të Kardiokirurgjisë për të parë gjendjen e tyre, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka falënderuar mjekët turq për këtë ndihmë që po i japin Kosovës.
“Disa operacione kanë qenë të komplikuara dhe janë bërë bashkë me mjekët turq, është hera e parë që në Kosovë po bëhet operacion te një fëmijë 5 muajsh. Shkëmbimi i përvojave është në dobi të pacientëve, numri i operacioneve do të jetë rreth 80, në këtë edukim dhe trajnim janë duke marr pjesë mbi 600 punëtorë shëndetësorë”, ka thënë Rrahmani.
Drejtori për Marrëdhënie më jashtë nga Ministria e Shëndetësisë së Turqisë, dr. Oner Guner, tha se kanë filluar punën për intervenime me mjekët më të mirë dhe në komunikim me mjekët e Kosovës, duke shkëmbyer informata për më shumë se një muaj.
“Operacionet i kryejmë në 10 fusha specialistike, në tri ditët e fundit i kemi bërë 74 operacione shumica e tyre janë operacione të mëdha sidomos tek fëmijët 5-6 muajsh, të cilat janë operacione që po zhvillohen për herë të parë”, ka thënë Guner.