Mjeku i UÇK-së që vdiq sot, ka dëshmuar në Hagë për vrasjen e shqiptarëve

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Sot në moshën 70 vjeçare, u nda nga jeta, mjeku dhe ish-ushtari i UÇK-së, Shukri Gërxhaliu.

Ai njëherit pati dëshmuar në Hagë, për vrasjen nga forcat serbe të shqiptarëve në një autokolonë me rreth 40.000 refugjatë e cila lëvizte në drejtim të Vushtrrisë, ku pas 28/29 majit të 1999-ës, forcat serbe kishin granatuar fshatrat përreth, transmeton klankosova.tv.

”Unë isha dikund kah mesi i kolonës, dhe ato nga prapa kanë ardhë. Zakonisht, në fillim ata kërkonin para, kryesisht marka gjermane, kur harxhoheshin ato, njëherë i rrihnin brutalisht sidomos të rinjtë, e më pas i vrisnin, kur harxhoheshin paratë”.

”Halil Basholli, vëllai i shoqes time ka qenë vozitës në traktor, e kanë zbrit dhe e kanë rrah disa herë derisa iu kanë harxhu paratë. Pasi u harxhuan paratë, e rrahën brutalisht, me një moment kur policia dhe gjithë militarët tjerë ishin më larg, e shfrytëzuam momentin, kërcyem nga traktori unë i pari, ai pas meje dhe ikëm u strehuam në përrua”.

Ai më pas pyetet nga prokurorja, Priya Gopalan, për vrasjen e Haki Gërxhaliut.

Prokurorja Gopalan: Dr. Gërxhaliu a mund t’na tregoni si ishte vrarë Haki Gërxhaliu?

”Po. Ai ishte i vdekur në atë moment. Pasi kërceva prej rimorkios apo prokolicës së traktorit poshtë, e para që ishte qe kufoma e tij. Ka pasë edhe kufoma të tjera, por ajo ka qenë kufoma e parë që e kam vrejtë”.

”Krismat dëgjoheshin në të gjitha anët, por meqë isha me shpinë të kthyer, mund të shihsha veç pjesën e pasme apo veriore, kështu që përveç Hakiut që kam pa, kam parë edhe të tjerë. Por, dy-tre traktora përtej meje, ka qenë një moment interesant, iu afruan një plaku dhe në gjuhën serbokroate diskutuan diçka. Po ai iu lut: Ju lutem, mos ma vrisni djalin se sot e kam martu. Edhe tha do t’festojmë bashkë do ta bajmë përhajr. Edhe para syve sikurse Hakiun që e vranë para familjarëve të vet, edhe atë djalin e tij, [Nexhipin], e ekzekutuan bashkë me dy a tre tjerë”.

”Unë edhe Halili dhe të tjerët derisa po shkonim rrugës nëpër kaçuba, i vrejtëm se po vinin, dhe ata bisedonin, ishte nata me hanë atëherë, edhe i njofta. E para ka qen 101-sh e policisë, tjerat kanë qenë autoblinda të kombinuara edhe të policisë edhe ushtrisë, dhe kur erdhën karshi nesh, e dëgjova njërin prej atyre eprorëve: Ushtri e spastruam terenin, s’kemi më karburant dhe do të kthehemi. E ashtu në atë moment, u shuan dritat ngadal dhe u kthyen”.

Ai u pyet tutje se çfarë kishin parë tutje në atë natë, kur kishin arritur në Studime të epërme.

Prokurorja Gopalan: Çka keni parë aty?

”Studime e epërme digjej flakë e tëra. Ne ishim në kodër, i tërë fshati ishte në flakë, në tym. Dëgjoheshin zhurma të kafshëve që kishin mbetur të lidhura mbase për së gjalli, kuajt, etj, etj, ishte një tmerr i vërtetë kah digjej fshati ashtu”.

”Të nesërmen më 3 maj jemi kthy për të parë se çfarë ka ndodhur, nëse ka mbetë kush i gjallë a jo. Dhe kur erdhëm aty, unë i pashë rrugës plot kufoma, kishte burra, gra, fëmijë etj”.

Të ngjashme