Dobratin-Podujevë, dhjetor – Lodrat e tij nuk ishin sikur të fëmijëve të kohës. Ai kishte zgjedhur gjërat që do t’i duheshin tërë jetën. Nuk donte që të humbte kohën kot. Kështu mendon ai sot kur është 71 vjeç, shkruan “Koha Ditore”. Si 4-vjeçar filloi të shoqërohej me mbeturina të metalta, mjeshtër i të cilave do të bëhej më vonë. Dhe i tillë u bë.
Nezir Rrahmani (1946) ka marrë një zanat që pakkush mund ta bëjë. Është bërë mjeshtër i armëve!
Gjithçka kishte nisur në kohën kur i ishte 4 vjeç. Ajo ishte koha kur po i “studionte” metalet. Çdo copë hekuri që gjente e merrte dhe mundohej të bënte diçka prej tij. Ai nuk shoqërohej me kohanikët e tij, të cilët luanin lojërat e kohës. I dukej se kështu nuk duhet kaluar koha. Pasi kishin kaluar disa vjet, duhej të mësonte prej dikujt që ai ka qejf ta quan “majstor”. Dikush që dinte t’i tregonte se çfarë mund të ndreqte prej atyre copave të hekurit që kishte mbledhur kaherë. Duhej t’i kthente në diçka të nevojshme që do t’i duheshin për jetën. Por çuditërisht prodhimi i gjërave nga zanati i tij marrin jetë!
Si 12-vjeçar filloi të ndiqte mjeshtërinë te një serb që punonte si metalgdhendës në Podujevë. Neziri e quan Perisha. Ai ishte edhe mjeshtër i armëve. Aty mësoi për metalgdhendjen, por Neziri “e vodhi” edhe mjeshtërinë e armëve.
“I kam pasur 12 vjet kur jam shkue te Perisha në Podievë. Ai u kanë majstor. Ka nreq edhe armë”, thotë Nezir Rrahmani, i cili ka problem me të dëgjuar dhe me të folur. Por, jo edhe për zanatin që bën.
Ndreqësi i motoçikletave “të Hitlerit”
Megjithatë, Neziri kërkonte më shumë dije. Ai nuk donte që gjithë talentin e tij ta linte vetëm në dorën e një mjeshtri. Donte që të ndiqte edhe mësimet në shkollë. Aty ku i shpjegohet për secilin detaj të këtij metali: për cilësitë e për dobësitë, për qëndrueshmërinë e për korrozionin, për fortësinë e për mënyrën e lakimit, etj. Dhe pas një viti, sa mësoi në Podujevë, ai si 13-vjeçar shkoi në Shkollën e Metalgdhendjes në Mitrovicë. Në të njëjtën kohë po shkollohej dhe po punonte bashkë me një mjeshtër tjetër serb që quhej Sava. Nga puna që bënte merrte edhe një rrogë. Mjeshtri Sava e kishte mësuar si t’i ndreqte motoçikletat gjermane, që ishin përdorur edhe nga ushtria e Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Thotë se kishte mësuar të rregullonte secilën prishje që pësonte ky mjet transporti: që nga motori e deri te secila pjesë e konstruktit të tij. “Shtatë vjeç jam shkue në shkollë në Mitrovicë”, thotë Neziri.
Aty mori edhe diplomën për “majstor”, siç pëlqen të quhet ai. Si 17- vjeçar kishte nisur të punonte edhe në shtëpi. Pas diplomimit, ai u punësua në Kombinatin e Drurit në Podujevë. Aty punoi 33 vjet në mirëmbajtjen dhe riparimin e të gjitha makinerive të drurit. Pas orarit të punës vazhdonte mjeshtëritë e tij në shtëpi. E ajo nuk ishte dosido. Prodhimi i armëve i kishte mbetur merak që atëherë kur po merrte hapat e parë të këtij zanati te Perisha…