Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), tanimë do të jetë e pranishme zyrtarisht në qytetin jugor të Kosovës, në Prizren.
Në një ceremoni të organizuar nga MKRS-ja është bërë hapja e zyrave të ministrisë në qendrën historike të qytetit, në ish-objektin e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit, raporton Ekonomia Online.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se me hapjen e këtyre zyrave në Prizren, MKRS-ja do të jetë më afër kulturës dhe traditës për t’i mbrojtur ato.
” Nga sot, MKRS-ja do të jetë më afër festivaleve kulturore e traditës sportive për t’i mbështetur ato dhe të njëjtën kohë për ta mbrojtur trashëgiminë e pasur kulturore. Nga sot MKRS është në qytetin e Lidhjes Shqiptarë të Prizrenit, në qytetin e Bekim Fehmiut, në qytetin e Doku Fest-it, në qytetin e Zambakut të Prizrenit,në qytetin e shumë kulturave, në qytetin e shoqërisë kulturore Agimi, ansamblit Emin Duraku, e Lidhja e Prizrenit, etj”, tha Gashi.
Ai tha se atë që Lidhja Shqiptarë e Prizrenit nuk arriti ta bënte e bëri realitet qeveria e Kosovës, shteti ynë dhe premtimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
“Sërish Prizreni, kryeqyteti historik i shqiptarëve na ka bashkuar, kësaj here për t’i inauguruar zyrat e MKRS-së, në të cilën do të punojnë një pjesë e kabinetit tim ministror, si pjesë e fazës së parë për ta bartur MKRS-së në qytetin e Prizrenit dhe në të njëjtën kohë për ta jetësuar premtimin e ndritur elektoral të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i cili gjithmonë premtimet i bënë vepra. Sot, në këtë ditë dimri, kryeqyteti i kulturës merr epitetin e një qyteti administrativ sepse atë që Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk arriti ta bënte e bëri realitet qeveria e Kosovës, shteti ynë dhe premtimi i Veselit “, tha Gashi.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, i cili këtë premtim e dha para një viti,
Ai tha se Prizreni është vendi që na përfaqëson më së miri ndërkombëtarisht. Veseli tha se Prizreni është interes i një Kosove dhe jo i një partie, raporton EO.
“Ajo që do të ndodh pas sot është kjo, prej sot Prizreni do ta ketë qendrën e vet përderisa ky s’do të jetë i vetmi institucion qe do të ketë Prizreni. Sa herë që pyetem nga ndërkombëtarët se cili është vendi që duhet vizituar në Kosovë, unë i them Prizreni, pasi na përfaqëson më së miri, s’ka vende ku vendet jetojnë etnike dhe ndëretnike. Ky qytet është nyje e kombit tonë, nyje e transformimit të një identiteti të ri. Prizreni është interes i një Kosove dhe jo i një partie”, tha Veseli.
Samir Hoxha, shef i kabinetit të ministrit, tha se ky ka qenë një premtim i bërë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilin e mbajti dhe po e bënë realitet.
“Prizreni është simbol që kultivon vlerash origjinale dhe larmi kulturash. Është qendër jo vetëm e kulturës shqiptare , por edhe të gjithë popujve që jetojnë në të, pa dallim përkatësie, nacionale, religjioze apo sociale. Pavarësisht skepticizmit që mbizotëroj gjatë gjithë kësaj kohe zyrat e MKR-së, ost po bëhen realitet dhe po hapen në qytetin e Prizrenit. Kjo është një meritë, përkushtim dhe premtim i mbajtur i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli i cili e dha këtë premtim para një viti dhe sot po e bënë realitet”, tha ai.