Një muaj paraburgim do t`i vuajë E.G., pasi që dyshohet se ka tentuar që të sulmonte fizikisht te Pallati i Drejtësisë prokurorin, Blerim Igrishta, shkruan sot Koha Ditore.
Shkak besohet të jetë bërë dështimi i një seance gjyqësore, në të cilën E.G., ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Koha Ditore” ka siguruar deklaratën e tij të dhënë në polici, por edhe deklaratën e prokurorit Igrishta. Të dytë kanë dhënë versione të ndryshme rreth kësaj ngjarjeje.
Prokurori ka thënë se E.G., pas seancës ka tentuar që të sulmojë fizikisht, duke e kapur për krahu dhe duke e kërcënuar. Është dashur që të intervenojë sigurimi, sipas tij, për të evituar përshkallëzimin e situatës.
Në anën tjetër, dëshmitari E.G., ka thënë se nuk ka pasur qëllim që të sulmojë prokurorin, por vetëm i ka thënë “arrestom”. Ai, gjithashtu ka thënë se “nuk e ka ditur që nuk ka të drejtë t`ia vendosë dorën nën sqetull”.