MMPH: Banorët të painteresuar për debate publike rreth ndërtimit të hidrocentraleve

Prishtinë | 23 Nën 2016 | 12:34 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka thirrur në raportim ushtruesin e detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, rreth kërkesës së banorëve të fshatit Vranishtë të komunës së Dragashit për ndërtimin e hidrocentralit, i cili është paraparë të ndërtohen në rrjedhën e lumit të këtij fshati.

U.D. i ministrit të Mjedisit, Ferat Shala, ka thënë se lejet për ndërtimin e hidrocentraleve merren ekskluzivisht nga MMPH-ja dhe kjo sipas tij, ka ndodhur në përputhshmëri të plotë me ligjet në fuqi.

“Gjithçka ka ndodhur kohëve të fundit është në përputhshmëri me ligjin duke dëgjuar ankesat e qyteteve të kësaj ane. Jemi duke bashkëpunuar edhe me Ministrinë e Pushtetit Lokal, me Zyrën e Rregullatorit, por edhe me përfaqësuesit e Komunës për menaxhimin e hidrocentraleve”, tha Shala.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, së bashku me anëtaren tjetër të komisionit Mexhide Mjeku – Topalli ngritën çështjen e benefiteve të cilat mund të përfitojnë banorët e fshatit Vranishtë me ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Ato dhanë vërejtje edhe sa i përket mungesës së debatit me qytetarë për ndërtimin e hidrocentralit në lumin e fshatit Vranishtë. Sipas tyre, banorëve të atjeshëm askush nuk i kishte informuar e as pyetur rreth këtij projekti.

Mirëpo, në përgjigjen e tij, Shala, argumentoi faktin se ministria që ai drejton asnjë projekt që është në interes të qytetarëve nuk e realizon pa marrë mendimin e tyre, përmes debateve publike.

Por ai shtoi se në përgjithësi, qytetarët nuk shprehin interesim për pjesëmarrje në këto debate. “Ne bëjmë paralajmërimet në ueb-faqen tonë, por edhe ne media, të cilat këto të fundit janë edhe dëshmitar i asaj që debatet janë mbajtur dhe asnjëherë nuk ka pasur mungesë të debateve. Si shtet ne kemi mjaftë zona tokësore të mbrojtura edhe pse kemi mungesë të mjeteve mbrojtëse, por toka të mbrojtura kemi. Gjithashtu kemi edhe investitor të shumtë që kanë interesim të kontribuojnë edhe në ekonominë e lirë të tregut”, tha Shala.

Ndërkaq , sekretari permanent në MMPH-së, Arben Çitaku, shpjegoi para anëtarëve të komisionit, ligjin për Parqet Nacionale, ku sipas tij, është e rregulluar edhe çështja e lejimit, apo moslejimit të ndërtimit të hidrocentraleve. Ai tha se ky parqet nacionale ndahen në tri zona, ku në dy të parat nuk lejohet ndërtimi i hidrocentraleve.

“Kemi ligjin për parqet nacionale i cili ndahet ne tri zona, por këto zona kanë karakteristikat e tyre. Zona e tret dallon nga zona e parë dhe zona e dytë. Për arsye se në zonën e tret lejohet ndërtimi dhe ndërhyrja në hapësirat të cilat ndodhen aty, përkundër që në zonën e parë dhe të dytë nuk guxon të ndryshohet asgjë”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se deri në vitin 2023 është afati i përfundimit për të arritur energjinë riprodhuese.

Sa iu përket debateve publike që janë ngritur dhe janë dorëzuar nga qytetarët, është përgjegjësi e nivelit komunal, që më rastin e shpronësimit të tokave, ai shpjegoi se Komuna është e obliguar me ligj që të mbajë debat publik, dhe e dyta, dhënia e pëlqimit mjedisor nga ana e ministrisë, si kategori e veçantë e lejes përkitazi me kapacitet që ndërtohen.

Lidhur me ankesën e qytetarëve për mbajtjen e dëgjimit publik, Çitaku bëri të ditur se posedon të gjitha dëshmitë e mbajtjes se dëgjimit publik, dhe iu janë përgjigjur të gjitha brengave dhe shqetësimeve te qytetarëve.

Banorët e fshatit Vranishtë të Dragashit, kohë më parë me anë të një proteste patën kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit Brod. Ata pretendojnë se ndërtimi i hidrocentralit do t’iu shkaktojë dëme si ekonomike ashtu edhe mjedisore.

ferat-shala

Të ngjashme