Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë reaguar në lidhje me shkrimin e publikuar “Pacolli i siguron mbështetje bashkëshortes nga tri ministri”, postuar nga disa portale, gjatë ditë së sotme.
Në reagimin e MMPH-së thuhet e kjo ministri nuk ka dhënë asnjë mbështetje financiare për Fondacionin “Ibrahim Kodra” për ekspozitën në Qendrën Kulturore Evropiane në Venedik.
“Ashtu siç kemi deklaruar kur jemi pyetur nga ‘AktivPress’ para se ata të botojnë lajmin e pa vërtetë edhe tani deklarojmë se ‘Fondacioni Ibrahim Kodra’ nuk ka marrë asnjë mbështetje financiare nga MMPH-ja për ekspozitën në Qendrën Kulturore Evropiane në Venedik”.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se ka mbështetur artistët, arkitektet, studentët për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, duke mbuluar shpenzimet e udhëtimit për disa prej tyre.
“Në lidhje me pretendimin e gazetës së studentët kanë qenë pjesë e organizimit të znj. Maria Pacollit, ne sqarojmë opinionin publik se personat për të cilët MMPH ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit nuk kanë qenë në ekip të znj. Pacolli dhe të ekspozitës që ajo ka organizuar”.
“Ne kemi financuar udhëtimin për artistët, arkitektet për pjesëmarrje në Bienale dhe jo në ekspozitë. Krijuesit e veprave të ekspozuara nuk kanë qenë fizikisht pjesëmarrës në Bienalen e Venedikut”.
“Në fakt, Gazeta në tekstin e saj ka cituar përgjigjen e kabinetit të ministres për mohim të pretendimeve të gazetës por në titull jep pretendime të pavërteta. Andaj kërkojmë nga Gazeta në fjalë dhe mediet tjera që mos të shtrembërojnë të vërtetën por të respektojë kodin etik të gazetarisë”.
“Ne vlerësojmë punën jo vetëm të këtij fondacioni por të secilit mekanizëm dhe person që ka për qëllim të ndihmojë studentët dhe promovimin e punës së tyre në organizime ndërkombëtare si ajo e ekspozitës në Qendrën Kulturore Evropiane në Venedik”, përfundon reagimi i ministrisë që udhëhiqet nga Albena Reshitaj, pjesë e AKR-së.
Kurse Ministria e Punëve të Jashtme, e cila udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, e vlerëson si tendecioze, të shtrembëruar dhe të pavërtetë raportimin e sotshëm të disa portaleve vendore se kinse “Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, i ka siguruar bashkëshortes së tij, Maria, mbështetje nga tri ministri për të organizuar pjesëmarrjen e një ekipi nga Kosova në bienalen e Venedikut”.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka bashkëpunuar dhe mbështetur në organizimin e ekspozitës “Urbanizmi i ri dhe bashkëjetesa kulturore në Kosovë”, në hapësirat e Qendrës Kulturore Evropiane në Venecia, si aktivitet ky në margjina të Bienales së Arkitekturës në Venecia dhe që kishte për qëllim promovimin e vlerave dhe imazhit të vendit tonë në marrëdhënie me jashtë, por nuk ka ndarë mjete financiare në lidhje me këtë ngjarje.
“Andaj, pretendimet dashakeqëse për t’i dhënë drejtim të kundërt qëllimit të mirë dhe të pastër aktiviteteve dhe angazhimit vullnetar të bashkëshortes së Ministrit për promovimin e imazhit të vendit tonë mbeten të papranueshme”, thekson reagimi dërguar medieve.