MMPH: Vëllai i ministres s’është pjesë e kabinetit, punësimi i dy asistenteve sipas rregullave

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 17:11 | Nga

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka reaguar në lidhje me një shkrim të publikuar sot në portalin “Arbresh.info” me titullin “Kabineti i kunatave dhe akrabave”.

MMPH thotë se pretendimet në lidhje me punësime të paligjshme në kabinetin e ministres Albena Reshitaj nuk qëndrojnë dhe si të tilla dëmtojnë etikën e gazetarisë duke tentuar të manipulojnë opinionin publik.

“Punësimet në kabinetin e ministres Reshitaj nuk janë të jashtëligjshme dhe bazohen në Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive me nr. 02/2011”, thuhet në reagimin e MMPH-së.

“Në bazë të kësaj Rregulloreje, e cila specifikon emërimin e kabinetit të ministres sqarojmë se znj. Andrra Pllana dhe znj. Adelina Mehiu janë emëruar si asistente të ministres, duke mos shkelur asnjë procedurë ligjore”, theksohet aty.

“Po ashtu sqarojmë se vëllai i ministres z. Krenar Reshitaj nuk është pjesë e kabinetit të ministres ashtu siç pretendon ky portal, kurse sa i përket ndërhyrjeve në privatësinë e ministres Reshitaj, ju njoftojmë se duhet dhe do të merren masa sipas Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, me nr. 02 /L- 65”.

“Ne i kuptojmë pretendimet e individëve dhe grupeve të caktuara keqdashëse për përfitime personale nga institucionet publike, por ua bëjmë me dije se ministrja Reshitaj është e përkushtuar në menaxhimin dhe shpenzimin e duhur të parasë publike duke mos lejuar interferime në punën e saj institucionale”.

“Në fund zotohemi se pretendimet e pabazuara, nuk mund të ndalin përkushtimin e ministres Reshitaj në rrugën e saj drejtë suksesit dhe shembullit të qeverisjes së mirë”, përfundon reagimi dërguar medieve.

Portali “Arbresh.info” ka shkruar sot se vëllai i Albena Reshitaj dhe gruaja e tij kontratat e para që i kanë nënshkruar me Qeverinë e Kosovës për punësim, menjëherë pasi doktoresha Reshitaj mori pozitën e ministres. “Krenar Reshitaj dyshohet se po kryen punën e fotoreporterit personal për motrën e tij njeherit ministre e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinore, kurse gruaja e tij Andrra Pllana, mbanë pozitën e asistentes ekzekutive në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ministres Reshitaj sikur nuk i ka mjaftuar punësimi i vëllait dhe kunatës, ajo në kabinetin e saj ka punësuar edhe Adelina Mehiu, e cila është motra e Fisnik Mehiu, me të cilin ministrja Reshitaj bashkëjeton tash e disa vite”.

Arbresh.info thotë se MMPH-ja nuk iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.

Pronar i portalit “Arbresh.info” është Rrahim Pacolli, zyrtar i Aleancës Kosova e Re (AKR), pjesë e të cilës parti është dhe Albena Reshitaj.

Të ngjashme