MMPHI tregon se kur do të lirohet për qarkullim autostrada “Ibrahim Rugova”

Prishtinë | 22 Shk 2023 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Segmenti i autostradës “Ibrahim Rugova”, ku mbrëmë pati rrëshqitje të dheut, po vazhdon të jetë e mbyllur, kështu bën të ditur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Sipas MMPHI-së, sasia e dheut që ka rrëshqitur është e madhe megjithatë japin shpresa që segmeti të hapet për qarkullim gjatë ditës së sotme.

“Sasia e dheut të rrëshqitur është e madhe, por sido qoftë parashikimet janë që sot, me datë 22.02.2023, rreth orës 18:00 do të hapet rruga në të dy drejtimet, por të do të bëjmë devijimin e qarkullimit në këtë segment rrugor (nga një shirit në shiritin tjetër) dhe të hiqen pengesat për qarkullim në Autoudhë”, thuhet në njoftimin e MMPHI-së.

Ndryshe, lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar mbrëmë zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, i cili tha se për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë një segment i autostradës është mbyllur përkohësisht.

“Jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim”, ka njoftuar tutje Durmishi.

Ai ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, duke u bërë thirrje që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25.

Të ngjashme