Mobilizohet Vetëvendosje, akuza të ashpra ndaj komunës së Shpend Ahmetit

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 17:42 | Nga

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë drejtuar kritika të ashpra gjatë ditës së sotme ndaj Komunës së Prishtinës që udhëhiqet nga kryetari Shpend Ahmeti, e ku pjesë e kabinetit qeverisës është edhe kjo parti.

Akuzat për mashtrim e manipulim me konkurse kanë ardhur nga tre asamblist të VV-së nëpërmjet rrjetit social facebook.

Këshilltarja e Kuvendit të Prishtinës nga radhët e VV-së, Leonora Shabani Bajraktari, mendon se Komuna e Prishtinës ka bërë dallime dhe ka shkelur ligjin kur ka ndarë bursa për studentët. Për këtë, thotë të ketë marrë edhe disa ankesa, shkruan lajmi.net.

“Komuna e Prishtinës ndanë 120 bursa për studentët që studiojnë në universitetet publike të Kosovës, për vitin akademik 2017 /2018. Studentët që kanë aplikuar për këtë bursë kanë hasur në shumë padrejtësi: 1. Mungesë të transparencës ( Nuk shënohen pikët e secilit individ dhe fakulteti të cilit ata i përkasin) 2. Parregullsi (Individë që kanë fituar bursën komunale edhe pse përfitues të bursës nga Universiteti i Prishtinës) 3. Jo kalkulim të saktë të rezultateve”, ka thënë Shabani Bajraktari.

Ndërsa, asamblisti Egzon Azemi nga radhët e Vetëvendosjes në Prishtinë, ka akuzuar Partinë Socialdemokrate, për punësimet në Trafikun Urban.

Azemi me anë të një postimi në profilin e tij social, ka thënë se PSD po rehaton individ dhe përkrahës të tyre.

 “Punësimet në Trafikun Urban për shoferë të autobusëve kanë shkelur qartë të gjitha procedurat. PSD-ja po e ndjek rrugën e shkurtë të PDK-së që përmes “rehatimit” të disa individëve të qëndrojë në skenën politike. Nëse ju ofrojnë pare ose punë, merrni. Sepse e kuptojmë se të gjithë kanë nevojë për një vend pune, veç mos e shitni shpirtin e mendjen, e kur të vijnë zgjedhjet njëherë e mirë ti ndëshkojmë këto parti klienteliste”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se, Kosova ka nevojë për ndryshime rrënjësore, e vetmja garantuese për këto ndryshime është Lëvizja e popullit, është Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin e Prishtinës, Eman Rrahmani e ka akuzuar Komunën për mashtrim, derisa kjo e fundit postoi sot në rrjetin social fb disa fotografi ku mburrej më punët që po bëhen. “Kur nuk punon fillon të mashtron!. Ky investim i paraqitur nga Komuna e Prishtinës është publikuar me 10 maj. Sot prapë investimi i njëjtë, i fotografuar nga një pozitë tjetër paraqitet si investim sot”, ka shkruar Rrahmani duke postuar edhe disa fotografi krahasuese.

Të ngjashme