Shqiptarët, shoqëria e akulturuar e cila që gjysmë shekulli proklamon gënjeshtra e jo vlera…
“Si Baba, si Djali, si Ferri”, ishte një nga motot e rinisë së viteve ’60 të shekullit të kaluar. Me këtë thënie ata gjykonin sistemin politik amerikan që për ta ishte një Ferr, ku fryti del siç është rrënja. Ky ishte slogani i rinisë së lindur pas Luftës së Dytë Botërore, që ishte rritur në paqe e në begatinë më të madhe në historinë amerikane, por që nuk përshtateshin me etërit dhe me pushtetin ushtarak amerikan të kohës. Triniteti i Shenjtë kështu shndërrohet në Trinitet të Ligësisë. Konflikti mes gjeneratave bëhet më i ashpër dhe jeta me repriza të së shkuarës. Sepse, siç e ka thënë edhe Sigmund Freud: ajo që ndodh në fëmijëri në rrethanat që kryesisht i imponojnë të tjerët, do të riciklohet më vonë dhe jeta s’do të jetë gjë tjetër pos përsëritje e traumave të dikurshme. Rruga e dëshiruar pothuajse kurrë nuk arrihet e, edhe nëse po, lufta drejt cakut do të jetë një Ferr tjetër…
RRËNJËT, FJALËT DHE IMAZHET
Në tetor të vitit 1990, në Tokio ndodh një takim i veçantë mes dy gjenive: fituesit të Nobelit për Letërsi, Gabriel Garcia Marquez (i njohur si Gabo) dhe një prej regjisorëve më të mëdhenj të kinematografisë botërore, Akira Kurosawa. Kolosët e artit flasin edhe për filmin e vitit 1965, “Akahige” (Mjekra e kuqe), të cilin Marquezi thotë se e kishte parë gjashtë herë brenda 20 vjetëve. Madje, për të u kishte folur edhe fëmijëve të tij, “për çdo ditë, derisa janë rritur për ta parë vetë”.
Gabo ka lënë pas dy djem, regjisorin Rodrigo dhe dizajnerin Gonzato. Rodrigo nëpër intervista kujton dashurinë e babait të tij për filmin, për neorealistët italianë, sidomos Vittorio De Sican; për Valën e Re Franceze, me në krye François Truffautin; e mbi të gjitha Kurosawan dhe filmin e tij “Mjekra e kuqe”. Për këtë film, ai konfirmon se babai e kishte dërguar disa herë në kinema. Madje, i kujtohet dëshira e tij që Kurosawa (i dështuar të hidhte e të kombinonte ngjyrat në pëlhurë, por që bënte filma me sy piktori) ta ekranizojë veprën e tij “Vjeshta e Patriarkut”. Por, për fat të keq e për zhgënjimin e babait të tij, ky projekt nuk u financua kurrë.
Marquezi ka punuar si gazetar. Njihej edhe si kritik filmi dhe si skenarist i filmave të suksesshëm të kinemasë latine. Njohësit e veprës së tij thonë se imagjinata e Marquezit prodhonte rrëfime me imazhe. E, se filmin ai e konsideronte si pasqyrë të jetës, kjo vërehet edhe në veprën e vitit 1986, “Histori e Miguel Litinit, ilegal në Kili”. Aty flitet për regjisorin kilian Miguel Littin (nga babai palestinez e nëna greke) – një nga emrat më të rëndësishëm të Kinemasë së Re Latine – i dëbuar nga sistemi brutal i Augusto Pinochetit. Me dokumente false e si klandestin, Littini viziton vendlindjen e tij ku xhiron dhe dokumenton jetën mizore të kilianëve nën diktaturë.
Dokumentarët e Littinit dhe vepra me “imazhe” e Marquezit – që të dy këto të ndaluara nga Pinocheti – nxitën edhe më shumë të rinjtë në veprim, për demokracinë që shihej në horizont më 1998 (me arrestimin e diktatorit gjatë një vizite të tij në Londër, sipas një akuze të ngritur në Spanjë dhe për herë të parë sipas zbatimit të juridiksionit universal). Atë vit vdes Kurosawa. Dy kolosët nuk kanë mundur të flasin më – eventualisht edhe për atë arrestim si triumf të humanizmit!
Rodrigo ishte rritur në një rreth të të zgjuarve, në ambientin që karakterizohej nga fjalët me vlerë. Si fëmijë kujton se si në shtëpinë e familjes mysafirë të shpeshtë ishin shkrimtarët Carlos Fuentes dhe Mario Vargas Llosa – i pari kandidat për Nobel, i dyti fitues i Nobelit. Ndërkaq, të dielave shtroheshin drekat për dhjetëra persona e muhabetet (rrëfimet) vazhdonin deri vonë.
Përderisa kritikët kanë thënë se i ati i tij, Gabo, krijonte imazhe nga fjalët, i biri krijon fjalë nga imazhet. Kjo vërehet edhe te filmi i tij “Last Days in the Desert” (Ditët e fundit në shkretëtirë) që ka të bëjë me Jezusin dhe raportin babë-bir.
Ky nuk është një rrëfim biblik, por një histori alternative që ngjall shpesh irritime tek të krishterët – religjion ky që është pjesë e identitetit nacional dhe e historisë së shumë popujve të botës. Mos të harrojmë: pas invadimeve barbare, ishte kjo fe ajo që ka ruajtur shkrim-leximin në Evropë, që ka ruajtur vlerat e organizimit shoqëror të Perandorisë dhe të civilizimit romak si themel i organizimit të shteteve që do të formoheshin në shekujt e ardhshëm – në kontinentin evropian dhe në atë amerikan.
Në anën tjetër, është pikërisht ky besim që nuk ka mundur të zë vend në Lindje – në Japoni, në tokën e shintos dhe budizmit. Ky shtet dhe tradita e tij e kishte krijuar Kurosawan, lozha familjare e të cilit shkon deri tek samuraji mitik i shekullit XI, Abe Sadato. Edhe Marquezi vinte nga një familja luftëtarësh. Gjyshi i tij ishte kolonel i Luftës së Njëmijë Ditëve. Por, me Kurosawan nuk e lidhte tradita ushtarake e as nuk i ndante feja. Për ta rëndësi kishte arti dhe humanizmi!
Humanizmi është mesazhi kryesor te “Mjekra e kuqe”; është njerëzorja që thyente egot dhe ambiciet hedoniste, duke shëruar jo vetëm trupin po edhe zemrën e njeriut. Kurosawa e kishte humbur shpesh besimin në shoqëri. Tek “Mjekra…” thotë se asnjë ligj nuk miratohet për ta zhdukur varfërinë dhe injorancën. Por, sikurse Marquezi, ai nuk e kishte humbur asnjëherë besimin tek individualja.
Individualen e trajton tek “Ditët e fundit…” i biri i Gabos. Ai merret me Jezusin dhe natyrën tokësore të birit mbase më të njohur e më të urtë të njerëzimit. Këtë e bën në formën më të guximshme: teksa si individ i rëndomtë, nuk e dëgjon zërin e Zotit! Mirëpo, Rodrigo megjithatë ka zgjedhur një mes – dramën e përditshmërisë që s’është as filozofike e as komike sa dy veprat më kontroverse të kinematografisë botërore: “Life of Brian” dhe “The Last Temptation of Christ”!
DJALI I PËRDALË DHE TUNDIMI I FUNDIT
Veprat dhe lëvizjet fetare që kanë trajtuar Trinitetin – Baba, Biri dhe Shpirti i Shenjtë (ku Biri i ka dy natyra) – nuk janë të pakta. Disa kanë mbështetur njërën natyrë dhe disa të dyja. Për ebionistët ishte njeri. Për doketistët ishte Zot. Për arianët ishte hyjnor, por jo Zot. Pastaj ishin nestorianët, apolinarianët, monofizitët… Por, asnjëherë nuk u dhanë sqarimet strikte për natyrën e Jezusit, gjë që ka lënë hapësirë për interpretime edhe nga artistët.
Kështu, grupi i komikëve britanikë, “Monty Python”, në filmin e tyre të vitit 1979, “Life of Brian” (Jeta e Brajënit), flet për popullin e zgjedhur që kishte humbur besimin në drejtësi dhe tek Zoti i tyre që gjithmonë i kishte mbrojtur e udhëhequr. Disa mendonin se problemet zgjidhen me luftë, të tjerët duke e rizbuluar rrugën drejt hyjnores. Predikimet në Judenë e pushtuar nisën të shndërrohen në formë të re të atraksionit publik dhe të tërheqjes së vëmendjes nga të ligat që rrethonin popullin e përzgjedhur. Në këtë kaos, “djali i përdalë”, Briani, perceptohet si profet. Për ta sqaruar veten se është i rëndomtë, mban fjalimin e “pafalshëm” për Kishën katolike: “Ju nuk duhet të më ndiqni. Ju nuk duhet ta ndiqni askënd. Ju duhet të mendoni për veten, sepse të gjithë ju jeni individë. Të gjithë jeni të ndryshëm. Ndaj, duhet ta gjeni vetë zgjedhjen, për vetveten. Mos lejoni askënd t’ju thotë se çfarë duhet të bëni”!
Më 12 gusht 1988, ndodh një “gabim” më i madh: premiera e filmit “The Last Temptation of Christ” (Tundimi i fundit i Krishtit), i bazuar në veprën me të njëjtin titull (botuar më 1955) të autorit të njohur grek, Nikos Kazancakis. Në librin e tij Jezusi paraqitet i lirë nga mëkatet, po jo edhe i lirë nga tundimet, nga frika, nga dyshimet, depresioni, qejfet dhe epshi.
Krishterimi përmend njerëzoren e Jezusit, por ai nuk ka mëkatuar, nuk ka vuajtur nga epshet seksuale dhe nga dëshirat materiale. E, këtu, Jezusi flet për frikën, për blasfemi, për pendesë; ka nevojë për falje dhe lutet për jetën dhe mëkatet e tij. Një herë mesazhi i tij është dashuria njerëzore; pastaj është lufta dhe politika: pushtimi i Jerusalemit, Qeveria e re, shpresa e re; e, në fund, zgjidhja është të bëhet “delja e Zotit” që duhet të sakrifikohet për njerëzimin. Në kryq – në një çast të shkurtë mes fjalëve “Zoti të ka braktisur” dhe deklarimit të fundit “u përmbush” – tundohet nga djalli për të bërë jetë familjare, si çdo individ i bërë nga mishi e gjaku.
Tundimi i Krishtit nga djalli (që ia ofron pushtetin tokësor) shpjegohet në Ungjillin e Mateut, Markut dhe Llukës. Sipas këtyre teksteve, pas pagëzimit Jezusi për 40 ditë dhe net e sprovon veten me agjërim e lutje. Sipas ungjijve, djalli dështon.
Pikërisht në këto ditë, në shkretëtirë, është e vendosur ngjarja e “Ditëve…”; një film për Jezusin njeri, por që nuk largon të tjerët e as nuk tundohet nga të mirat tokësore.
RRËNJËT…
Tek “Ditët…”, Jezusi është i lodhur dhe i uritur, i vetmuar e i etur ta dëgjojë zërin e të Atit (sipas interpretimit të krishterë) – Zotit. Një burrë që njeh shenjtërinë tek ai, i ofron strehë. Ky burrë është një baba që si shumë të tjerë ka raport të vështirë me të birin adoleshent. Djali e dëgjon babanë dhe kujdeset për nënën e sëmurë, por mendjen e ka tek ëndrra e atëhershme rinore – tek Jerusalemi, vendi ku secili do të mund të testonte veten dhe prirjet e tij për të ardhmen.
Në anën tjetër, Jezusi ka probleme me veten, me Satanain në trajtën e tij që i thotë se Ati nuk e do atë. Te Ungjilli i Gjonit thuhet se djalli “është gënjeshtar dhe ati i rrenës”. Ai gënjen dhe kjo është e vërtetë! Por, edhe Satani ishte krijuar nga Zoti, madje ishte engjëlli më i bukur që u dëbua nga Parajsa për shkak të krenarisë së tij. E tash: kush e njeh tash më mire të Atin – Satana apo Jezusi?
Jezusi është i tunduar nga natyra e tij njerëzore, nga dyshimet që ka, nga këshillat që ia jep djalit për Jerusalemin – “të ndotur e të korruptuar, po shumë të gjallë” – kur dihet se Ati nuk përzihet në Vullnetin e Lirë.
Në fund, për ta dërguar të birin në Jerusalem, babai vdes aksidentalisht. Gjatë realizimit të filmit vdesë dhe kolosi – Marquezi. Ndaj, Rodrigo pranon se përndiqej nga vdekja dhe nga autobiografia e babait. Por, kjo e ka ndihmuar ta kuptojë një gjë me rëndësi që ndërlidhet me rrënjët e tij!
Për rrënjët flet Scorsese tek filmi i tij i vitit 2016, “Silence” (Heshtja), një tjetër film për krishterimin – këtë herë për misionarët portugezë që përhapin këtë fe në Japoninë e shekullit XVII, në shtetin më tradicional e më të izoluar të botës. Por, në këtë vend krishterimi mund të ishte veç një dashnore e huaj shterpe. Japonezët e njihnin krishterimin veç në formën e shtrembëruar, pasi ata nuk mund ta mendojnë ekzistencën përtej arealit të natyrës. Thjesht, Japonia është moçal ku rrënjët kalben e ku asgjë nga Perëndimi nuk mbin aty.
MOÇALI DHE GËNJESHTRAT
Para 50 vjetësh, shqiptarët nisën ta bëjnë Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Një fjalim i Enver Hoxhës i 6 shkurtit 1967 (“Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”), i inspiruar nga Revolucioni Kulturor kinez, nxit të rinjtë komunistë që pa krye të mësyjnë dhe demolojnë objektet e kultit. Kjo u bë leht në moçalin shqiptar, ku feja nuk ka lëshuar kurrë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
Leht kështu përmbyset gjithçka ndër shqiptarë, përfshirë edhe vlerat. Ndaj, është shoqëri tërësisht e akulturuar, që ka humbur edhe traditën – rrënjët. Kur Kurosawa akuzohej nga kritikët japonezë se veprat e tij janë shumë perëndimore, ai thoshte: “Unë mbledh poçeri japoneze, antikitetet franceze dhe objekte të qelqta holandeze”. Madje, në 16 filma (përfshirë atë “Mjekra e kuqe”), në role kryesore e kishte aktorin Kyojo Niide – i krishterë, bir i misionarëve metodistë. Sepse, tek një artist si ai: “Perëndimi dhe Japonia në mendjen time jetojnë pranë njëra-tjetrës, pa asnjë konflikt”.
Në Japoni e çdo shtet të vjetër, është tradita vendase ajo që krijon origjinalitet dhe harmoni. Por jo tek shqiptarët, një shoqëri që fatkeqësisht sot ka mbetur pa vlera e pa orientim. Dikur hero tek shqiptarët ishte Skënderbeu, tash del se është edhe Ballaban Pasha; dikur ishin me Turqinë, pastaj kundër e sot prapë me të; dikur mbaheshin më shumë me Orientin, sot deklarohen veç për Perëndimin; dikur ishin zogistë, shpejt u bënë enveristë; në Kosovë ishin patriotë ata që i burgoste komunizmi, në Shqipëri ishin tradhtarë; ishin komunistë të flaktë, shpejt u bënë demokratë më të flaktë; dikur shqiptari kishte burrni, tash del se shpesh kjo i mungon; dikur flitej për nderin e femrës shqiptare, e sot ajo prin me prostitucion në Evropë… Prandaj, s’ka art që përçon vlera tradicionale, me rrënjë shqiptare; prandaj historinë më të saktë për shqiptarët po e shkruajnë të huajt, sepse kjo shoqëri sot proklamon veç gënjeshtrën.
HIÇI DHE HIÇI!
Më 1967, shqiptari i Kosovës merrte frymë më lirshëm pas rënies së famëkeqit Aleksandar Rankoviq. Në këtë vit rinia e Perëndimit me kundërkulturë bënte revolucion shoqëror. Ndërsa, Shqipëria e thellonte stalinizmin. Ky vit për shqiptarët askund nuk ishte i njëjtë. Më 1991 përmbyset sistemi komunist në Shqipëri, e në Kosovë nis pushtimi klasik serb. Më 1999 çlirohet Kosova e më 2001 nis lufta në Maqedoni. Ndryshime të mëdha këto, për pak kohë. E, në çdo vit që ka sjell ndonjë ndryshim politik te shqiptarët, ka pasuar ndërtimi jo mbi themelet e vëna më parë po me përmbysjen totale të vlerave të mëparshme. Kjo ka ndodhur gjatë tërë historisë. Pasojat vërehen sidomos sot. Kështu, nga viti 1967 i nisjes së ndryshimeve të mëdha, e gjer më sot, në mesin e shqiptarëve nuk u lind asnjë shkrimtar e asnjë poet që vlen të përmendet; asnjë shkrimtar për fëmijë; asnjë dramaturg e asnjë regjisor; asnjë kritik arti e letërsie; asnjë akademik normal e me fytyrë; asnjë “yll” e asnjë atraksion mediatik që ka bibliotekë në shtëpi e që lexon… Asnjë! Hiç!
Njerëzit me vlerë nuk mungojnë, por një pjesë e tyre jetojnë një Perëndim, pjesa tjetër është e heshtur dhe e nëpërkëmbur, e një pjese tjetër ia kanë prerë rrënjët që në fillim. Në këtë realitet të krimit intelektual e artistik, lulëzojnë veç mediokrët të cilëve dallkaukët e gazetarët analfabetë u thurin lavde.
Prandaj, film të zgjuar si “Ditët…” di të bëjë Rodrige; një film ky që flet për etërit dhe për bijtë: për Jezusin dhe Zotin; për të dhe Marquezin – zotin e letërsisë. Në këtë film që po ashtu përçon humanizëm, Jezusi nuk tundohet. Nuk tundohet as Rodrigo, i cili në fund, pas finalizimit të kësaj vepre kinematografike, e kupton një gjë me rëndësi për të.
“Babai donte të ishte regjisor. Unë jam regjisor e kjo ishte ëndrra e tij”, thotë ai.
Rodrigo, pra, u bë ai që donte të ishte Marquezi e që “dështoi” më 1954 si regjisor i filmit të shkurtë surrealist, “La langosta azul” (Gaforrja e kaltër). Misioni u përmbush! Sepse, te shoqëritë normale, Trinitet është Baba, Biri dhe Vepra e Shenjtë! E, tek ajo shqiptare është Baba, Biri dhe… Hiçi! (Telegrafi)