Spitali i Prishtinës ende nuk dihet se cilat shërbime do t’i ofrojë dhe as sa do të jetë kostoja e saktë e ndërtimit të tij.
Kështu, kanë thënë drejtues të Komunës së Prishtinës, tashti pas miratimit të Ligjit për kryeqytetin nga Kuvendi i Kosovës dhe i cili tashmë po pret vetëm nënshkrimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u fuqizuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës, i ka thënë “Kohës Ditore” se modalitetet, që do ta përcjellin ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, do të vendosen nga Komisioni për ndërtimin e këtij institucioni.
ky komision, sipas saj, pritet që të formohet së shpejti dhe ai do të përbëhet nga anëtarë të një spektri më të gjerë, ndërinstitucional. Por, ajo që dihet tashti është se shërbimet që do t’i ofrojë Spitali i Prishtinës do të definohen pas një analize të detajuar se cilat shërbime të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë të ngarkuara më së shumti me pacientë që vijnë nga gjithë territori i Komunës së Prishtinës.
Ndërkohë që në fillim të këtij viti, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i patën thënë KD-së e Spitali i Prishtinës do të nisë të ndërtohet në gjysmën e dytë të këtij viti, pas hartimit të projektit të tij, i cili do të marrë kohë deri në tetë muaj.