Shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Federica Mogherini raporton sot para ministrave të Jashtëm të BE-së për udhëtimin e saj në Ballkanin perëndimor.
Ajo vizitoi 6 shtetet që synojnë të anëtarësohen në bllok, por në pjesën më të madhe të të cilëve u përball me kriza politike dhe tensione. Sipas portalit Euractive, duket se për herë të parë raportimi i saj nuk do ta vërë theksin te përparimi që këto 6 shtete kanë bërë në rrugën drejt BE, por tek rreziqet gjeopolitike që kërcënojnë rajonin.
Ky portal thotë se shumë liderë evropianë janë të shqetësuar për situatën në Ballkan, duke fajësuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë rajonin.
Një raport më i plotë do të paraqitet në samitin e BE-së më 9 dhe 10 mars, ndërkohë që një takim kushtuar Ballkanit perëndimor do të mbahet në Trieste, më 12 korrik.
Sipas një drafti të deklaratës së përbashkët që do të dalë në samitin e javës së ardhshme, liderët europianë pritet të afirmojnë angazhimin e tyre në mbështetje të stabilitetit dhe thellimit të lidhjeve politike dhe ekonomike në rajon.