Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe Zv/Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini e ka cilësuar si një gabim historik, i cili mund të ndryshohet sa më shpejt që të jetë e mundur, vendimin e BE për të mos filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Duke e cilësuar si një mbledhje mjaft të vështirë, takimin e Këshillit Evropian Mogherini u shpreh se, “krerët e shteteve dhe qeverive kanë shtyrë vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, përkundër përparimit të jashtëzakonshëm të arritur nga të dy vendet dhe kundër këshillave të Komisionit Evropian, transmeton Atsh.
“Kjo”, shprehet Mogherini, “është shumë më tepër sesa një mundësi e humbur: është një gabim historik, i cili shpresoj se mund të ndryshohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.