Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi realizoi takim me ish Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Alfred Mojsiu, i cili është në Shkup me rastin e shënimit të 15 vjetorit të ngjarjes tragjike në Mostar, në të cilën e humbi jetën Presidenti i Republikës Boris Trajkoski.
Kryetari Xhaferi falënderoi për respektin e treguar ndaj figurës dhe veprës së ish Presidentit të Republikës, dhe tha se
“kjo është vërtetim se ndërmjet dy vendeve ekziston marrëdhënie e sinqertë miqësore, që prej dite në ditë është më e fortë dhe më e fuqishme, e mbindërtuar me bashkëpunim në të gjitha nivelet, si politik, ashtu edhe ekonomik, mirëpo gjithsesi edhe lidhje miqësore dhe familjare ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve”.
Kreu i Kuvendit informoi se pas nënshkrimit të protokolleve aderuese në NATO, pritjet janë se në qershor të këtij viti të jemi në pozitë të marrim datë edhe për negociatat aderuese me BE-në, dhe kjo është diçka në të cilën janë përkushtuar të gjitha forcat progresive në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, falënderoi për mundësinë për takim me Kryetarin Xhaferi, dhe e shfrytëzoi rastin të drejtojë urime për suksesin e madh e arritur si shtet në drejtim të tejkalimit të kontestit shumë dekadash me Republikën e Greqisë dhe sugjeroi se
“komunikimi i ndërsjellë dhe dialogu janë mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme të ndërsjella dhe mënyra e vetme që i tërë rajoni të ketë ardhmëri të sigurt, të përparuar dhe ekonomikisht stabile. Modeli i Maqedonisë së Veriut është model i cili është shembull për zgjidhjen e çështjeve tjera të hapura të cilat e ngarkojnë dhe e ndërlikojnë përparimin e përbashkët të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkruan alsat-m përcjellë Klan Kosova.
Të dy bashkëbiseduesit e potencuan rëndësinë e përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve a edhe në gjithë rajonin dhe shprehën shpresë se bashkëpunimi rajonal do të intensifikohet dhe thellohet edhe më shumë për të mirën e gjithë qytetarëve.