Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë. Kosovës i duhet paqe dhe progres dhe çka është më e rëndësishme, i duhet Bashkimi me Shqipërinë. Kështu tha kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.
Në tubimin e mbajtur me qytetarë ku është shpalosur Manifesti – dokumenti i parë i partisë, Molliqaj kërkoi nga institucionet e Kosovës ta marrin seriozisht dialogun, dhe ta përfundojnë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
“Qasja e Qeverisë së Re është shumë e vjetër. Ne nuk kemi pritur ndryshe nga kjo Qeveri por mendojmë ndryshe nga kjo. Ka zëra në rritje në Kosovë që po mendojnë se raporti ynë është i pavarur me atë rajonal. Është krejtësisht e gabuar. Njerëzit nuk ikin vetëm nga Kosova por nga gjithë Ballkani. Ekonomia nuk ka mbetur vetëm në Kosovë e prapambetur por edhe në Ballkan”, tha Molliqaj.
“Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë. Kosovës i duhet paqe dhe progres dhe qa është më e rëndësishme i duhet Bashkimi me Shqipërinë. Zgjidhja e problemit Kosovë Serbi ia jep Kosovës mundësinë që kanë krejt shtetet. Problemi i veriut është problem politik. Është koha të vendoset se çka është me e rëndësishme për popullin tonë”, tha Molliqaj.
Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, tha se arsyeja që e kanë quajtur manifest, ka të bëjë me zhvendosje të politikave sociale në vend. Ai tha se PSD-ja angazhohet për një marrëdhënieve mes shtresave shoqërore.
“Ne e kemi shkruar manifest që kemi me bërë zhvendosje edhe sa i përket politikave sociale. Kur flitet sot për politika sociale kemi politika për luftim të varfërisë. Dhe ne do të zhvendosemi në politika të barazisë. PSD angazhohet për një marrëdhënieve mes shtresave shoqërore. Për një këtë vije shoqërore që ekzistojnë në shumësi e që bashkëpunojnë me njëra tjetrën. Betejat shoqërore duhet me shku krahë për krahë bashkë me luftimin e patriarkalizmit. Kemi me fol të vërtetën edhe nëse mundet me kushtu kjo fjalë”, tha ai.
Ndërsa ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se një prej problemeve kryesore është se qysh trajtohet prej qeverisë pushteti lokal. Ai tha se Qeveria po koncentrohet në një vend, e që sipas tij, komunat e vogla po diskriminohen.
“Një prej kushteve me pas qëndrim demokratik është me ua ofrua qytetarëve pushtetin. Me kartën evropiane pushteti më i afërt me qytetarin duhet me pas kompetenca sa më shumë. Një prej çështjeve që ne duhet me reagua është që mos me leju mu koncentru krejt pushteti në një vend. Në Kosovë kemi fshatra që as rrymën nuk e kanë t mjaftueshme për nevoja elementare”, u shpreh ai.
Sekretarja e PSD-së Teuta Rrusta tha se secila grua në shoqëri nuk i ik sprovës morale të shoqërisë.
“Faktor është mungesa e pronës ku ato gra që e gëzojnë të drejtën e pronës nuk i kanë shpëtu turpit. Kjo tregon se varësia prej vllaut e babës është jetike. Dhuna ndaj grave sot ka marr forma t ndryshme, në familje, në shpi, prej shefit n punë. Dhuna është mjet dhe mjeti është për shfrytëzim. Dhuna përdorët për mjet shfrytëzimit”, tha ajo.