Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në lidhje me anulimin e vizitës në Kosovë të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, raporton Ekonomia Online.
Molliqaj ka thënë se anulimi i vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, shpërfaq fytyrën e vërtetë të kësaj Gjykate.
Specialja të martën ka njoftuar se aktiviteti i Trendafilovës s’do të organizohet me prezencë fizike për shkak të protestave të paralajmëruara. Ata kanë thënë se aktiviteti do të zhvillohet përmes internetit.
Molliqaj thotë se me këtë rast, mobilizimi i qytetarëve sjellë fitore.
“Anulimi i kësaj vizite ka ardhur si rezultat i dy faktorëve. Ishte e qartë që pjesëmarrja do të ishte shumë masive dhe jo rastësisht ndodhi shumë vonë. Kjo gjykatë po tenton të shmangë çdo pamje të pakënaqësie së qytetarit. Ishte e qartë se do të kishte prezencë të mediave ndërkombëtare. Nuk kam dëgjuar që këto takime anulohen për shkak të presioneve publike. Njërën anë e ka shpërfaq të vërtetën e kësaj gjykate dhe na ka treguar se kur ka mobilizim fitoret janë të mundshme”, u shpreh Molliqaj.