Në interpelancën për ndarjen e mjeteve financiare prej 1 milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike në veri, Dardan Molliqaj në emër të GP të PSD-së, tha se mosintervenimi i qeverisë për këtë çështje është i pakuptueshëm për PSD-në.
“Sipas Bankës Botërore, standardi i qytetarëve në veri është dy herë më i lartë se standardi i qytetarëve në jug dhe kjo do të thotë se ne po paguajmë për shkak të problemeve politike dhe jo për të ndihmuar qytetarët atje”.
“Unë nuk e kuptoj pse duhet të paguajmë çdo muaj ka 1 milion për rrymën në veri kur e dimë se një kompani serbe inkason rrymën atje. Qyetarët serbë atje paguajnë dhe këto mjete i merr Serbia. Kemi bërë edhe marrëveshjen me Serbinë për çështjen e energjisë e cila nuk po zbatohet për shkak se Serbia nuk po e lejon. Aty ku dëmtohet interesi ekonomik qeveria thotë se nuk kemi çka me bë”.
Molliqaj kërkoi nga kryeministri ta thotë saktësisht ditën e datën se kur kjo çështje do të rregullohet, raporton Ekonomia Online.
“E dëgjova kryeministrin që tha se kjo çështje do të rregullohet. Unë dua ta di se kur në cilën ditë dhe në cilën datë. Mosintervenimi i qeverisë për këtë çështje për grupin tonë mbetet e pakuptueshme e cila tregon për një impotencë të qeverisë për me e ushtru sovranitetin e shtetit atje”.
Bilall Sherifi, në emër të GP të Nismës Socialdemokrate, tha se janë të hapur të dëgjojnë idetë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, raporton EO.
“Ne jemi të hapur të dëgjojmë idetë se si mund të zgjidhet, por jo duke thënë se kjo është gabim. Duhet të trajtohen barabartë komunat me shumicë shqiptare, në praktikë nuk ka funksionuar. Mendoj që pjesa tjetër e debatit nuk meriton të trajtohet, do të kemi rast se do të vijë çështja e dialogut dhe secili do të ketë mundësinë të diskutojë për këtë çështje”.