Problemet ndërkombëtare (në mes shteteve) mund të zgjidhen përmes luftës, balancës së fuqisë, kur njëra apo të dy palët tërhiqen, si dhe me negociata (diplomaci) të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Mënyra e fundit është më e mira dhe më e preferuara, e cila, në diplomacinë bashkëkohore, nënkupton arritjen e situatave “win-win”, apo të përfundimeve dobiprurëse për të dyja palët. Në konfliktet e “basteve të mëdha”, nxjerrja e situatave përfituese për të dy palët është mjaft e vështirë, e dhimbshme në shumicën e rasteve, si dhe përgjithësisht jo-popullore (populiste). Megjithatë, në numrin më të madh të rasteve, këto situata janë më të mira se vazhdimi i “status quo-s” apo i konflikteve të ngrira, konflikte këto që ngadalësojnë apo krejtësisht frenojnë zhvillimin e vendeve në fjalë.
Kosova shpesh e ka provuar këtë në lëkurën e vet, situata këto nga të cilat jemi nxjerre vetëm kur ishim të gatshëm për zgjidhje pragmatike e me kompromise në të mirë të vendit. Fatmirësisht, pranë nesh, në dekadat e fundit, i kishim edhe miqtë ndërkombëtarë, të cilët na ndihmuan të ecim para, edhe pse ndonjëherë me zgjidhje të vështira. Megjithatë, kur balancohen mundësitë dhe pasojat, këto vendime provuan të ishin të domosdoshme. Dy raste të tilla ilustruese janë Marrëveshja e Rambujesë dhe Pakoja e Ahtisaarit, që të dyja këto që në fund të fundit realizuan aspiratat shekullore të popullit tonë, por që po ashtu ndërthuren edhe zgjidhje të zorshme. Një vendim i tillë duket të jetë edhe vendimi i fundit i qeverisë mbi regjistrimin e tokave në pronësi të Manastirit të Deçanit.
Këto vendime bëhen shumë problematike vetëm atëherë kur paraprakisht kishim ndërtuar vija të kuqe e strikte, siç ishin: rasti i AAK-së me kauzën e demarkacionit; i LDK-së me vija e kuqe për marrëveshje koalicioni; si dhe ai i shembjes së kauzave populiste të LVV-së. Dallimi, pra, në mes liderëve e partive “tradhtare” e “patriotike” tanimë është vetëm i natyrës deklarative, pasi që lëshimet e koncesionet e domosdoshme në të mirë të vendit po detyrohen t’i bëjnë të gjithë, dhe se përfitimet politike e populiste në kurriz të qeshjeve kombëtare po provojnë të jenë të dëmshme për vendin, si dhe për vetë ata që i aspirojnë këto përfitime.
Shpresoj të mësojmë, si popull, nga këto gabime dhe që, në të ardhmen, të mos përkrahim kauza të rrejshme e premtime të kota, të cilat nuk do të mund të qëndrojnë, dhe kjo çdoherë duke pasur parasysh se ndërtimin e mirëfilltë të një shoqërie të lirë, të pavarur e demokratike do të mund ta bëjmë vetëm me bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtar.