Verifikimi i diplomave të studentëve të cilët kanë ndjekur studimet në institucionet private të Arsimit të Lartë, ishte temë diskutimi me njohës të fushës së arsimit në vend, raporton Ekonomia Online.
Blend Zyrapi, hulumtues në KIPRED, tha se për mosnostrifikimin e diplomave në kolegjet private fajtore është Ministria e Arsimit, e cila e ndryshoi udhëzimin administrativ.
Sipas tij, mosdorëzimi me kohë i librave amzë nga kolegjet private ka pamundësuar nostrifikimin e diplomave.
“Ministria e Arsimit ka disa udhëzime administrative të cilat parashohin se bartësit privat të arsimit të lartë në kohën kur i regjistrojnë studentët ka një afat kohor kur duhet t’i dorëzojnë librat amë pranë ministrisë së Arsimit dhe ato libra e validojnë studentët për të studiuar pranë atij kolegji”.
“Në vitin 2014 është mbajtur miratuar udhëzim adimistrativ dhe aty janë paraparë afatet kohore se kur duhet të dorëzohen librat amzë pranë MAShT-it”.
“Po atë vit është ndryshuar udhëzimi administrativ, por nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Pra çka ka ndodh është se i njëjti udhëzim veç është ripërtërirë, por nuk ka pasur asnjë ndryshim”, tha Zyrapi.
Ndërkaq deputetja e VV-së Arbërie Nagavci e quajti skandal këto ndryshim administrative, raporton EO.
“Pra po flasim për një skandal të madh, i cili nuk ka ndodh rastësisht dhe që nuk ka ndodhur pa veprime të qëllimshme të personave përgjegjës që janë thirrur për të zbatuar ligjin”.
“Është lejuar qëllimisht që për përfitime materiale të vihet në rrezik përgatitja e qindra të rinjve që i kanë përfunduar studimet. Duke qenë deputete dhe anëtare e komisionit për Arsim ne e kemi ngritur këtë çështje”, tha ajo.