Muaji qershor po përmendet si afat kur kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, ndonëse u proklamua se janë përmbushur të gjitha kriteret përfshirë edhe luftimin krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Por Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018 ku sipas këtij indeksi Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë.
Drejtori i organizatës “Çohu” Arton Demhasaj, ka thënë se një përkeqësim i tillë mund të lidhet me mosliberalizimin e vizave.
Kjo pasiqë sipas tij, Bashkimi Evropian (BE), nuk mbajti fjalën për liberalizim, dhe kjo demotivoi gjyqësorin.
“Këtë vit kemi parë që kemi një përkeqësim të gjendjes sa i përket nivelit të korrupsionit në Kosovë, edhe kjo ndoshta mund të lidhet me faktin se edhe pasiqë Kosova në një mënyrë i plotësoj kërkesat për liberalizim vizash, pra u konsiderua që u përmbush kriteri që është kërkuar nga Bashkimi Evropian për liberalizim vizash që ka qenë luftimi i korrupsionit edhe në momentin kur vizat nuk u liberalizuan”.
“Kur nuk u përmbush edhe premtimi i Bashkimit Evropian (BE) për këtë ka mund me ndikuar që të paktën sidomos institucionet gjyqësore që janë të thirrura për me parandaluar edhe luftuar korrupsionin në një mënyrë munden me qenë më neglizhente në trajtimin e lëndëve të korrupsionit pikërisht për shkak të mosliberalizimit të vizave. Mosliberalizimi i vizave ka mund me pas një impakt negativ në përkeqësimin e gjendjes së luftimit të korrupsionit në Kosovë”, tha ai.
Mes tjerash Demhasaj tha se BE nuk mund të kërkoj nga Kosova kushte tjera për luftim të korrupsionit si kriter për liberalizim mirëpo që kjo rritje mund të ndikoj negativisht në proceset tjera nëpër të cilat do të kaloj Kosova.
“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave nuk besoj që mund të ketë kushte ekstra për luftim të korrupsionit nga Bashkimi Evropian për shkak se është konsideruar që janë plotësuar kriteret dhe është filluar procesi i liberalizimit të vizave ka kaluar në komision ka kaluar në Parlament Evropian tash kanë mbet vetëm shtetet anëtare përmes Këshillit me votuar një gjë të tillë”.
“Por mundet me pas impakt negativ në procese të tjera të Kosovës siç është edhe realizimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ose aplikimit të Kosovës për anëtarësim në procese tjera të rëndësishme për integrim në Bashkim Evropian”, tha ai
Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i tha Ekonomia Online se arsyeja për një rangim të tillë ka qenë edhe moskrijimi i mekanizmave nga institucionet që adresojnë luftën kundër korrupsionit.
“Ajo që ka munguar ka qenë një krijim i mekanizmave të cilat në mënyrë të mirëfilltë i adresojmë problemet apo luftën kundër korrupsionit. Disa prej faktorëve janë vonesat në aprovimin e ligjit për konflikt interesi edhe për fillimin e trajtimit të rasteve konkrete”.
“Shumë shpesh kemi pas edhe pyetjen se a kemi me rangu më mirë për shkak të rritjes së transparencës në CPI apo në vlerësimin e performancës në indeksin e korrupsionit merren për bazë shumë raporte të ndryshme me shumë faktor të ndryshëm si puna e Kuvendit, puna e Qeverisë, puna e menaxhimit të parasë publike, janë raporte për bazë nga Banka Botërore nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë, Komisioni Evropian, Bashkimi Evropian, Sigma, etj. E që fatkeqësisht për vitin 2017 nuk kanë tregu rezultate të mira për sa i përket luftimit të korrupsionit”.
“Neve kemi për liberalizim disa raste të shënjestruar. Fatkeqësisht Qeveria jonë është fokusuar më shumë në qatë pjesë, mirëpo lufta kundër korrupsionit është e një dimensioni shumë më të madh se sa luftimi i disa rasteve të shënjestruara, duhet të luftohet si dukuri në tersi”, tha ajo.
Ndërkaq ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnnet në një postim në rrjetin social Tëitter ka shkruar se raporti i Transparency International e ka nxjerr Kosovën më keq se vitin e kaluar ndërkaq ka pyetur qytetarët e Kosovës se si do të kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria për vitin 2019, raporton EO.