Kosova mund të paraqesë prapë devijim në frekuencat e rrjetit të energjisë në Evropë, sikurse në muajin mars, kur kishte ngadalësuar orët evropiane për gjashtë minuta në pjesën më të madhe të kontinentit.
Sipas Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO), rënia e frekuencës kishte ndikuar në ato orë elektrike (në pajisjet shtëpiake) që drejtohen nga frekuenca e sistemit energjetik dhe jo nga një kristal kuarci.
Devijimi i frekuencave kishte ndodhur si pasojë e rrjetit dhe shpenzimit të energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës dhe mospagesa e faturave atje.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja të zgjidhet, duke e përfshirë edhe Serbinë si palë e bisedimeve në Bruksel.
Për problemet energjetike në pjesën veriore të Kosovës ekziston një marrëveshje në mes Prishtinës dhe Beogradit, e arritur në Bruksel në vitin 2013.
Por, kjo marrëveshje asnjëherë nuk është zbatuar për shkak se në bazë të marrëveshjes, kusht për Serbinë është regjistrimi i një kompanie serbe për furnizim me energji elektrike.
Mosregjistrimi i kësaj kompanie në institucionet e Kosovës, po e pamundëson edhe anëtarësimin e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) në Rrjetin Evropian të Transmisionit.
Zëvendësi i kryeshefit ekzekutiv për operim në KOSTT, Kadri Kadriu tha për Radion Evropa e Lirë se pala serbe nuk i ka plotësuar kushtet për regjistrimin e operatorit në veri të Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit.