Pasiqë Qeveria ende nuk ka filluar përgatitjet për plotësim-ndryshimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës, punëtorët e kësaj të fundit kanë paralajmëruar protesta. Lotaria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se punëtorët janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe janë të shqetësuar nga, siç e quajnë, neglizhenca e institucioneve përkatëse.
“Protesta do të mbahet nesër, e premte, datë 22 tetor 2021 në ora 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të miratimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës”.
Gjitashtu bëhej e ditur se do të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave dhe kanë ftuar Qeverinë që të merret seriozisht me këtë çështje.
“Gjithashtu nuk marrim asnjë përgjigje në kërkesat tona dhe as nuk na mundësohen takime nga ana e Qeverisë. Edhe pse Lotaria e Kosovës sh.a. është shoqëri aksionare ku aksionare e vetme e saj është Qeveria e Republikës së Kosovës, është pasardhës juridik i të gjitha të drejtave dhe pronës së Lotarisë së Kosovës të themeluar në vitin 1974, është anëtare e Asociacionit të Lotarive Shtetërore Evropiane (The European Lotteries) qysh nga viti 2002, nënshkruese e Standardeve Evropiane dhe e çertifikuar për Organizim me përgjegjësi shoqërore të lojërave të fatit nga viti 2017 dhe bashkëthemeluese e Asociacionit të Lotarive të Evropës Juglindore me seli në Lubljanë që nga viti 2007 ajo ende vazhdon të mbetet peng i vendimeve politike.”