Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, përplasi pozitë e opozitë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
Aty u kërkua së paku një javë kohë që të shqyrtohet në detaje ky draft strategji, për të cilën thanë se është në interes të sigurisë së Kosovës.
Kryetari Bekë Berisha, nuk pranoi ta shqyrtojnë këtë strategji, e cila u shtyjë për javën e ardhshme.
Ai ka kërkuar që në këtë strategji të punohet edhe me partitë opozitare.
“Ky dokument ka ardhur te na për shqyrtim dhe i bie se duhet ta shtyjmë. Këtë dokument e kam kërkuar me ngulm dhe me tregu sepse si grup kemi thënë se do të votojmë strategjinë për siguri. Kjo është për Kosovën jo e partisë së juaj”, thotë Berisha.
“Kjo do të shqyrtohet nga deputet dhe unë kam votuar si grup parlamentar por jo pa e shqyrtuar dhe pa i hequr dilemat për ata që e kanë bërë këtë strategji. Na e kemi për obligim jo komisioni i AKI-së. Kur nuk thirrin grupet punues çka me bo tani. Paska dyshime që është partiake dhe që nuk duhet me qenë. Më shumë pranoj me hi luftë me Serbi e jo një dokument që e keni bërë veç ju”, tha ai.
Konsultime për këtë temë kërkoi edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni.
“Duhet konsultime të brendshme dhe kisha preferuar të kemi bashkëbisedim sepse marrim përgjigje për disa çështje që nuk janë të trajtuara. Po flasim për takimin e radhës. Të gjithë jemi të interesuar ta kemi një strategji dhe të jetë sa më funksionale”, tha ai.
Deputeti i PDK, Rashit Qalaj, kërkoi minimum një javë kohë që ta trajtojnë këtë draft.
“Edhe unë jam që të kemi edhe një javë shtesë. Kemi nevojë për sqarim dhe ka bukur mungesa se unë e kam lexuar 10 herë dokumentin. S’ka me shty se është partiake e dobët ky draft. Ky është dokument i rëndësishëm”, tha ai.
Por kundër shtyrjes u shpreh deputeti tjetër i PDK-së, Hisen Berisha.
“Strategjia nuk është dokument i qeverisë, dhe nuk ka arsye pse të mos e votojmë sot. Ky duhet të jetë dokument i shtetit. Kosova është rast specifik dhe ambienti i sigurisë është rast specifik. Për mu edhe sot mund ta trajtojmë dhe ta shtyjmë përpara”, tha ai.
Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, tha se dokumenti nuk është partiak, dhe si i tillë nuk duhet që opozita të bëj të bëjë politikë.
Deputeti i VV, Enver Dugolli, tha se në këtë draft të strategjisë nuk duhet të shtohet më shumë.